Kryetari i LDD-së Nexhat Daci uron Kryeministrin Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha ka marrë një mesazh urimi edhe nga kryetari i LDD-së, Nexhat Daçi. Kreu i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, i shpreh suksese Berishës, për punën dhe aktivitetin në krye të qeverisë së Shqipërisë. “Më lejoni që në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, t’ju uroj për dekretimin tuaj nga ana e presidentit Topi, Kryeministër të Republikës së Shqipërisë, lajm të cilin e morëm me kënaqësinë më të ngrohtë. Më lejoni që nëpërmjet këtij telegrami t’ju përgëzojmë për punën dhe aktivitetin, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, të cilin e konsiderojmë pozitiv dhe inkurajues për zhvillimin e vendit”, thuhet në urimin e kreut të LDD-së, Nexhat Daçi.
Ai shprehet më tej se Shqipëria do të vazhdojë hapat e shpejtë të zhvillimit si dhe do të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon. “Shpresojmë dhe besojmë fuqishëm se qeveria e re e vendit tuaj, do të vazhdojë me hapat e shpejtë në zhvillimin e shtetit, si dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mbarë rajonit me një dinamikë edhe më të shpejtë”, përfundon telegramin e tij të urimit, Nexhat Daçi.
...