Presidenti rus Medvedev: “Duam të shtojmë bashkëpunimin me Shqipërinë, ai është faktor i rëndësishëm stabiliteti”

Rusia ndryshon shumë shpejt kursin e saj politik ndaj Shqipërisë, duke u pozicionuar në radhën e shteteve që janë të interesuara për marrëdhënie të suksesshme dhe bashkëpunim konstruktiv me Shqipërinë. Kësisoj, linja zyrtare e politikës ruse, po shfaq një orientim të dukshëm drejt raporteve të bashkëpunimit dypalësh, në fusha të ndryshme dhe me interes reciprok. Vetëm pak ditë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergeji Lavrov, keqinterpretoi deklaratën e kryeministrit Berisha, për unitetin e shqiptarëve, duke kërkuar kështu reagim diplomatik ndërkombëtarë, është Presidenti rus, Dmitri Medvedev që shprehet se ruajtja e dialogut ruso-shqiptar, është një nga faktorët më të rëndësishëm të stabilitetit në rajonin e ballkanit.
Presidenti Medvedev i bëri këto komente në Kremlin, gjatë dorëzimit të letrave akredituese të ambasadorëve të rinj, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Shqipërisë.
Presidenti rus, theksoi se të dyja vendet duhet të zhvillojnë bashkëpunimin, në kuadër të stabilitetit dhe paqes në Ballkan. “Ne duam të shtojmë bashkëpunimin me Shqipërinë, duke pasur parasysh interesat tona”, është shprehur Medvedev.
Sipas tij, “Dialogun ruso-shqiptar e konsiderojmë si një nga faktorët e rëndësishëm të stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Medvedev.
Deklarata e Presidentit Medvedev, hedh poshtë impulsivitetin e ministrit të Jashtëm, Lavrov, i cili shprehu shqetësimin e Moskës për shkak të deklaratës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve.
Ndërsa, vetëm një ditë më pas, do të vinte edhe kundër-reagimi i kryeministrit Berisha, i cili do të shprehej se gjithçka ka lindur si pasojë e vështirësisë së lindur të rusëve, për të përkthyer nga shqipja në rusisht.
...