Pollo: Profesionet do të rregullohen me ligj, sipas modelit evropian

Profesioni i mjekut, ai i veterinerit, i inxhinierit dhe arkitektit do të rregullohen me një ligj të posaçëm që synon t’i përafrohet modelit evropian, duke bërë të mundur në këtë mënyrë përcaktimin e etapave që duhen ndjekur për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni. Gjithçka pritet të marrë udhë pas miratimit të këtij drafti nga legjislativi dhe shqyrtimit të tij që ka nisur në komisionin e punës dhe çështjeve sociale. Sipas ministrit Pollo, i cili është iniciator i këtij projektligji, ky variant synon të rregullojë me ligj 10 profesione në të cilat sipas tij në një pjesë prej tyre janë vërejtur dhe shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.
Por cilido nga këta profesionistë më parë duhet të përmbushë disa detyrime ligjore që rrjedhin nga ky draft, siç janë; kryerja e praktikës profesionale, provimi i shtetit për formimin profesional dhe regjistrimi i profesionit nën urdhrin profesional përkatës.
“Në shumë profesione të këtyre fushave kemi parë nga media që janë evidentuar shkelje, por nëpërmjet këtij ligji, synohet të vendoset disiplinimi i tyre. E fillojmë me dhjetë profesione në mënyrë që të shohim praktikën dhe më pas do ta çojmë në 15”, u shpreh ministri Pollo. Thelbi i ligjit për profesionet e rregulluara është provimi i shtetit, i cili është një garanci publike që lidhet me aftësitë dhe përgjegjësitë që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar.
Sipas ministrit Pollo synohet që ky numër i profesioneve të rregulluara me ligj të rritet nga 10 në 15 në vijim.
...