Kreu i Senatit Kanadez: Vendi i opozitës është në parlament. Edhe opozita shqiptare aty duhet ta zhvillojë luftën e saj politike
Kryetarja e Kuvendit pret në takim Kryetarin e Senatit të Kanadasë Kinsella, në vizitën e parë të këtij niveli në Shqipëri. Delegacioni kanadez: “Shqipëria tashmë është një botë e re”. Kryetarja e Kuvendit i apelon për të disatën herë opozitës, që t’i drejtohet sallës së Parlamentit
Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli ka mbërritur dje në Tiranë, për herë të parë për një vizitë tre ditore, Kryetari i Senatit kanadez, Noel Kinsella, një nga figurat e rëndësishme të politikës kanadeze. Kryetari i senatit kanadez, Noel Kinsella, deklaroi dje duke iu referuar bojkotit të punimeve të kuvendit nga opozita, se është e pakuptimtë që në një vend demokratik të mungojë debati parlamentar. Kryesenatori Kinsella, i bëri këto komente gjatë takimit të zhvilluar dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ai i bëri thirrje opozitës që të futet sa më parë në parlament.
“Si kryetar i Senatit inkurajoj të gjithë anëtarët e parlamentit të vijnë e të flasin në parlament. Nuk mendoj se në një vend demokratik, duhet të mungojë debati parlamentar”, u shpreh Kinsella.
Ndërsa nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ripërsëriti qëndrimin që opozita të vijë në Kuvend në respekt të detyrimeve ndaj elektoratit të saj.
“Pres që opozita të vijë në parlament. Deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë caktuar detyrën e rëndësishme, të bëjnë misionin opozitar, të jenë të pranishëm në parlament. Ata do të kenë të gjitha hapësirat që i lejon kushtetuta e ligji, si dhe gjithë fleksibilitetin e kryetares së Kuvendit për t’i respektuar në detyrën e tyre”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur nga gazetarët rreth një nisme ligjore të iniciuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votimit, e cila do të mbajë firmat e rreth 20 mijë zgjedhësve, kryetarja e Kuvendit tha se “pa dyshim që çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në parlament”.
“Por, do të mendoja se ishte më e thjeshtë, pasi në bazë të kushtetutës dhe ligjit nuk kishin fare nevojë t’i lodhnin shqiptarët. Mjafton iniciativa e një deputeti për t’u shqyrtuar në parlament. Rrugët kushtetuese dhe rrugët ligjore respektohen dhe shqyrtohen në parlament”, u shpreh Topalli.
Në takimin me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Kryetari Kinsella dhe anëtarët e delegacionit kanadez shprehën interesin për nxitjen e investimeve në sektorin e telekomunikacioneve, porteve, bankave, gazit, energjisë dhe infrastrukturës. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që niveli i bashkëpunimit me Kanadanë në fushën ekonomike, ka pasur një dinamikë shumë pozitive dhe se vitet e fundit investimet kanadeze në Shqipëri janë rritur ndjeshëm.
Një pikë e veçantë e bisedës ishte edhe komunitetit shqiptar në Kanada, të cilin Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë të rëndësishëm në lidhjen mes dy vendeve.
I ftuar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Senatit kanadez u bë bashkëfirmëtar i Memorandumit të mirëkuptimit që synon të nxisë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve duke vënë në funksion të saj portet respektive. Kryeparlamentarja Topalli e cilësoi me mjaft rëndësi, faktin që Kanadaja ka fokusuar Shqipërinë për investime në të gjithë sektorët. Një deklaratë që u konfirmua menjëherë më pas dhe Kryetari i Senatit kanadez kur tha se është gjithnjë në rritje interesi i biznesit kanadez për të investuar në vendin tonë.
Prifti-Kinsella: “Biznesi kanadez të investojë në Shqipëri, një vend tërheqës për ‘Doing Business’”/Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, priti dje në një takim kryetarin e Senatit të Kanadasë Noel Kinsella dhe delegacionin që e shoqëronte. Të dyja palët, nënvizuan në këtë takim marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si edhe ecuria e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike.
Ministri Prifti ftoi kompanitë Kanadeze për të investuar në Shqipëri, si një vend tepër tërheqës për “Doing Business”.
Ministri theksoi se mundësitë në Shqipëri janë të shumta dhe të pashterueshme. Rezervat e nikel, bakër dhe krom e bëjnë vendin tone admirues për të gjithë investitorët e mëdhenj ndërkombëtar të këtij lloji. Për këtë, ministri Prifti i bëri ftesë kompanive kanadeze, përveç energjisë të investojnë edhe në këtë sektor.
Më tej, te dy palët diskutuan për krijimin e bazës ligjore në fushën ekonomike duke synuar lidhjen e Marrëveshjeve së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Marrëveshjes së nxitjes së mbrojtjes së investimeve.
Meta - Kinsela: Përshpejtim procedurash në firmosjen e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike/Kryesenatori kanadez, Noel Kinsela, premtoi dje gjatë një takimi të zhvilluar me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, influencën e tij në përshpejtimin e procedurave për firmosjen e marrëdhënieve kuadër, mes dy vendeve. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, u shpreh se marrëveshja mes Kanadasë dhe Shqipërisë, ka të bëjë në dy çështje, atë të eliminimit reciprok të taksimit ë dyfishtë dhe mbrojtjen e nxitjen e investimeve.
Ministri Meta vlerësoi vizitën e delegacionit parlamentar kanadez në Shqipëri dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve më tej, sidomos në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Ministri i Jashtëm, Meta, shprehu gjithashtu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen që Kanadaja i ofroi Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në këtë kontekst, Meta i kërkoi senatorëve kanadezë të përdorin influencën e tyre me ato vende që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.
...