E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanali i Korfuzit, deputetë të PD-së kontribuuan në formulimin e marrëveshjes

Marrëveshja për dhurimin Greqisë të territorit detar shqiptar është formuluar nga disa grupe pune.

Shaban Sulçe

Projektmarrëveshja në të cilën zyrtarizohet dhurimi i një pjesë të konsiderueshme të territorit detar shqiptar shtetit grek është hartuar dhe formuluar edhe me kontributin e deputetëve të maxhorancës. Lajmi është bërë i ditur nga burime konfidenciale, sipas të cilave për formulimin e kësaj marrëveshjeje është ngritur një grup ndërinstitucional me pjesëmarrje të ekspertëve ligjorë nga disa ministri, kryesisht nga Ministria e Jashtme. Por burimet konfirmuan gjithashtu se në këtë grup ministror kanë marrë pjesë edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët e përfaqësojnë atë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend. Këta deputetë duket se janë urdhëruar nga shefi i tyre, kryeministri Berisha, për të dhënë sugjerimet dhe propozimet e tyre në këtë marrëveshje. Kjo e fundit pritet të nënshkruhet zyrtarisht pas pak ditësh, pas vizitës që do të kryejë në Tiranë ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis. Në terma të përgjithshëm flitet se marrëveshja vë nën autoritetin grek të gjithë ishujt, shkëmbinjtë dhe ujërat që ndajnë të dyja vendet, ndërkohë që kufijtë grekë do të spostohen 6 milje në veri, duke përfituar nga ujërat territoriale shqiptare.

Misteri
Pavarësisht zbulimit të disa prej pikave kryesore të projektmarrëveshjes së qeverisë “Berisha” me qeverinë greke, interesant është fakti se qeveria vazhdon të fshehë dhe ngurron ta publikojë të plotë këtë marrëveshje. Prej disa ditësh deputetë të opozitës janë përpjekur të kërkojnë informacion zyrtar dhe të plotë për veprimin e qeverisë, e cila ka vendosur t’i dhurojë shtetit grek pjesë të konsiderueshme të ujërave territoriale shqiptare. Deputetët kanë kërkuar informacion në Kuvend në lidhje me përmbajtjen e plotë dhe termave të marrëveshjes midis qeverisë “Berisha” dhe qeverisë greke. Por, si nga ana e Kuvendit, ashtu dhe nga ana e qeverisë, është refuzuar ofrimi i këtij informacioni. Mungesa e transparencës në lidhje me këtë çështje ka shtuar edhe më shumë dyshimet për pasojat e kësaj marrëveshjeje për prekjen e interesave kombëtare. Lajmi për këtë akt të qeverisë ka shtuar shqetësimin e mjaft personaliteteve, por edhe të shqiptarëve të diasporës.

Marrëveshja
Lajmi për përgatitjen e marrëveshjes nga qeveria shqiptare për dhurimin e një pjese të territorit detar Greqisë është bërë i ditur më 22 mars. Pas presioneve të vazhdueshme të Athinës, autoritetet zyrtare kanë pranuar kërkesën për ndryshimin e vijës kufitare detare në zonën e Korfuzit dhe përcaktimin e Shelfit Kontinental. Siglimi i saj është pohuar nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Menjëherë pas firmosjes së saj ka reaguar edhe kreu i qeverisë së Athinës, Kosta Karamanlis, i cili e ka përshëndetur këtë hap teksa ndodhej në Bruksel, në takimin e krerëve të qeverive të BE-së. Edhe Ministria e Jashtme e Greqisë e ka konsideruar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm të realizimit të synimeve strategjike të vendit. Për përgatitjen e dokumentit ka nisur punën një komitet i përbashkët shqiptaro-grek, që në prill të vitit të kaluar, menjëherë pas vizitës së ministrit të Jashtëm shqiptar Basha në Athinë, më 20 mars të vitit 2008. Athina zyrtare u ka kërkuar vazhdimisht autoriteteve shqiptare për të riparë vijën kufitare detare në Kanalin e Korfuzit, e motivuar për qëllime ekonomike dhe strategjike. Që me ardhjen e komunizmit në pushtet, qeveria "Hoxha" vuri sanksione në territorin e saj ujor në Kanalin e Korfuzit, gjë që solli humbje të mëdha ekonomiko-tregtare, ushtarake dhe gjeostrategjike për Greqinë. Megjithëse kanë kaluar 19 vjet, Tirana zyrtare nuk e ka ndryshuar dhe vetëm një vit më parë kanë nisur bisedimet mes dy palëve. Ndonëse është shpejt për të pohuar nëse një veprim i tillë, i ndërmarrë nga qeveria "Berisha", është pozitiv apo negativ, ky proces nuk është bërë në mënyrë transparente, qoftë edhe për faktin se nuk ka një diskutim në nivele politike apo ekspertësh ligjorë apo të së drejtës ndërkombëtare për këtë çështje.

Informacioni zyrtar

I vetmi informacion zyrtar i qeverisë në lidhje me këtë çështje është njoftimi për shtyp i Ministrisë së Punëve të Jashtme. “Më 19.03.2009, në Ministrinë e Punëve të Jashtme u siglua Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë lidhur me delimitimin e hapësirave detare dhe Shelfit Kontinental. Kjo marrëveshje me rëndësi të veçantë për të dyja vendet, e bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të Konventën e OKB-së për Detin, do të nënshkruhet së afërmi. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se përfundimi i kësaj marrëveshjeje do të kontribuojë në thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira e miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve”, - thuhet në këtë njoftim.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›