E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, nis ngritja e KZAZ-ve në 11 qarqe të vendit



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur ditën e djeshme konstituimin e KZAZ-ve në të gjitha qarqet e Shqipërisë, përveç atij të Tiranës. Anëtarët e KQZ-së janë shpërndarë nëpër qarqe të ndryshme për të vëzhguar ecurinë e procesit të konstituimit të KZAZ-ve. I vetmi që ka qëndruar në Tiranë ka qenë kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani. Burime zyrtare shprehen se në të gjitha qarqet ka përfunduar shpërndarja e bazës materiale. Po këto burime shprehen se konstituimi i KZAZ-ve nëpër qarqet e Shqipërisë ka shkuar mirë. Vetëm një numër i vogël i KZAZ-ve nuk kanë mundur të mblidhen ditën e djeshme. Në Rrethin e Korçës dhe të Pogradecit mbledhja e komisionerëve ka shkuar normalisht. Baza materiale në këto dy rrethe është bërë e rregullt dhe është kryer mbledhja organike e komisionerëve. Ky proces është mbështetur edhe nga partitë e majta. Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Socialdemokrate, Rustem Preçi, shprehet se komisionerët e kësaj force politike janë lajmëruar gjatë ditës së djeshme për vendin dhe orën e konstituimit të KZAZ-ve. Një pjesë e tyre e kanë marrë njoftimin edhe nga mediat. Nga komisionerët e kësaj partie vetëm ai i Ersekës nuk ka mundur të shkojë për arsye shëndetësore. Megjithatë, Preçi thotë se kjo KZAZ është mbledhur dhe nuk ka pasur probleme. Ndërkohë, mësohet se është caktuar 3 prilli si data e ngritjes së të gjitha KZAZ-ve në Qarkun e Tiranës, pas dështimit të këtij procesi në datën 1 prill. Nga 14 KZAZ-të që ishin parashikuar për t’u mbledhur, në 11 prej tyre nuk u paraqitën komisionerët e majtë. Kjo e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të zhvillonte një mbledhje urgjente të shoqëruar me debate të shumta mes përfaqësuesve politikë Gjonçaj të PS-së dhe Kosovrastit të PD-së. Gjonçaj e justifikoi mosparaqitjen e komisionerëve të majtë me vonesën e dorëzimit nga ana e KQZ-së të shkresës zyrtare, që, sipas tij, e bëri të pamundur paraqitjen e tyre. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti, e quajti dështimin e mbledhjes së KZAZ-ve të Tiranës si dëshirë të PS-së për të bojkotuar zgjedhjet e 28 qershorit.
Luis Tanushi

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›