E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanalizimet në qendër të qytetit bllokojnë dhjetëra biznese

06/07/2011  Shoqata e Bizneseve të Vogla paralajmëron protesta: Po shkojmë drejt falimentimit

KORÇE- Nisja e punimeve për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve në qendër të qytetit të Korçës, ka vështirësuar seriozisht aktivitetin e dhjetëra bizneseve të vogla që operojnë përreth kësaj hapësire. Shkak për bllokimin e punës në shumë lokale dhe njësi shërbimi është bërë ndotja e madhe që po shkaktohet nga mjetet dhe makineritë që po merren me hapjen e kanaleve. Për rrjedhojë reja e pluhurit dhe e tymit është e pranishme gjatë gjithë orëve të ditës, nga mëngjesi në mbrëmje, ndërsa kalimi në këtë zonë është bërë i vështirë për çdo qytetar. Megjithatë, ata që po përballen me këtë ndotje tejet të rënduar, janë pronarët e lokaleve dhe njësive të shërbimit.

Punimet dhe bizneset

Për ditë të tëra me radhë tavolinat e lokaleve të tyre kanë qenë të zbrazëta, pasi askush nuk dëshiron që të kalojë kohën në një mjedis mes tymit dhe pluhurit, dhe nëse nuk merren masa, atëherë këto lokale do të vijojnë të jenë të braktisura edhe për disa muaj të tjerë, pasi nuk pritet që punimet të përfundojnë shpejt. Madje ka qenë kjo arsyeja që pronarët e lokaleve dhe njësive të shërbimit, së fundi ngritën zërin me qëllim që t’i jepet fund kaosit që është krijuar në qendër të qytetit. Sipas tyre, u bë një muaj që janë braktisur nga klientët, gjë që do të thotë se edhe aktiviteti i tyre tregtar është vënë në vështirësi. “Tashmë u shprehen pronarët e lokaleve, po e shohim se do dalim me humbje dhe veç kësaj nuk do ta kemi të mundur të paguajmë qiranë e ambienteve ku punojmë”. “Çdo ditë kemi qenë në luftë me pluhurin, shpjeguan biznesmenët, pastrojmë çdo gjë herë pas herë dhe pas disa minutave gjithçka është e mbuluar sërish nga pluhuri”. Shqetësimit të pronarëve të lokaleve iu bashkua edhe kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto, i cili paralajmëroi se kjo shoqatë do të organizojë protesta, të cilat do të vijojnë deri në përmirësimin e situatës. Sipas Nastos, “në rast se nuk merren masa që nga ky moment, atëherë mëngjesin e së mërkurës, gjithë pronarët e lokaleve do të jenë para ndërtesës së bashkisë për t’i bërë thirrje kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi që të zgjidhë sa më parë këtë situatë kaosi dhe bllokimi të jetës në qytet”. Nasto shpjegoi gjithashtu se “kjo gjendje kaotike dhe e papranueshme nuk ndodh vetëm në qendër të Korçës, por edhe në disa sheshe të këtij qyteti ku aktualisht po kryhen punime, gjë që do të thotë se me vështirësitë e këtij bllokimi nuk po përballen dhjetëra biznese, por me qindra të tillë, sepse përreth shesheve të qyteteve operojnë rreth 500 biznese”, tha Nasto. Mosmarrja e masave në kohën e duhur, madje që nga dita e parë e fillimit të punimeve, ka sjellë vështirësi edhe për turistët dhe vizitorët që kanë ardhur për t’u njohur me qytetin e Korçës. Për shkak të mjegullnajës së pluhurit, vizitorët e kanë pasur të pamundur të qëndrojnë edhe një çast të vetëm në këtë qytet. Për të gjitha arsyet e mësipërme, shoqata e bizneseve të vogla e sheh të domosdoshme daljen në protesta, sepse nga sa dihet punimet mund të vijojnë për 7 muaj të tjerë. “Ndaj, nëse nuk i jepet zgjidhje kësaj situate, atëherë 500 biznese në fund të 7 muajve do të jenë krejtësisht të falimentuar, tha kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Vogla, Albert Nasto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›