Kanalizimet e autostradës rrezikojnë lisat 600-vjeçarë
Orosh / MIRDITË - Nuk janë lisa dosido, por të shënuar si monumente natyrore dhe historike që evidentojnë në njëfarë mënyre dhe formën vetëqeverisëse të Mirditës, atë të unitetit 12-bajrakësh. Datohen në një jetëgjatësi prej afro 600 vjetësh, ndërsa bartësit e urtësisë gojore të kësaj krahine i datojnë të kaluar gojë pas goje prej vitit 1370, që kur dhe mbahen mend ndër brezni.
Prej atyre viteve njerëzit janë kujdesur për ta shekull pas shekulli për të ardhur të freskët deri në ditët tona. Interesant është fakti se pikërisht duke i quajtur gati si "lisa të shenjtë", edhe pse janë gjendur në afërsi të një fshati të populluar dhe në kryqëzim rrugësh, sopata nuk ka rënë asnjëherë mbi to, madje as dhe të "krasisë" ndonjë degë të tyre. Aty afër ka qenë dhe një nga shkollat e para të Oroshit, por as dhe një degë nuk është marrë për t'u futur në zjarr edhe në dimrat më të ashpër.
Këtu, nën hijen e tyre, mbaheshin kuvende të hershme asokohe dhe, me sa duket, ata kanë mbetur të vetmit dëshmitarë të tyre.
Tashmë lisat e Marpepës janë evidentuar dhe prej faktit se rrëzë tyre kalon autostrada katërkalimshme për në Kosovë. Për fat, ndryshe sa ndodhi me fshatin karakteristik të këtyre anëve, që kjo rrugë moderne dhe shumë e hijshme e rrafshoj krejt pa arsye për shkak të një moskujdesi që në projektim, duke hequr nga faqja e dheut kulla me shumë histori tre dhe katër katëshe, të paktën lisat shpëtuan falë një ngulmimi mediatik dhe kjo bëri që kompania ndërtuese e kësaj rrugë "Bechtel & Enka", të devijojë dhe drejtimin e një ure super të gjatë aty, duke i dhënë formë harkore m'u nën sqetull të këtij "oazi lisash" të veçantë.
Por nëse iu anashkalua, papërgjegjshmëria është treguar më pas, me punimet anësore, ku është treguar moskujdes ekstrem. Këtë na e rrëfen dhe i moshuari i fshatit Mashterkor, Shkurt Preng Gjeta, i indinjuar nga veprimi i punonjësve të kësaj kompanie që kanë ndërtuar kanalet e betonta mespërmes këtyre lisave, duke hedhur zhavorr e duke prishur tërë funksionin jetësor të tyre. Për pasojë dy lisa janë tharë fare dhe janë zhdukur, por po rrezikohen dhe 10 të tjerët, pasi disa "krahë" të tyre po fishken nga degët.
"Është bërë punë e shkëlqyer nëpër anësore shpatesh, - thotë i moshuari, që i dhemb teksa i shikon këta lisa monument të thahen çdo ditë para syve të tij, -por pse nuk u tregua kujdes dhe për këta lisa të rrallë, për t'ua punuar kurorat e tyre dhe për t'i furnizuar me humus natyral e ushqim jetësor, ashtu si dhe ato shpatet sipër, për të cilët po shpenzohen miliona euro? Mundet që ky vend të bëhet i vizitueshëm, - thotë i moshuari, - pasi afro 200 metra prej aty gjendet dhe kompleksi më i vecantë i kullave arkeptik të Mashtekorit, njëra prej të cilave thuajse është në degradim të plotë dhe tjetra ende mban frymën e njerëzve brenda".
I tërë ky kompleks kulturor, historik dhe natyror monumental, duhet marrë në dorë për faktin se mund të shërbejë si një vend turistik nga më të veçantët në veriun e vendit, duke pasur parasysh se jo shumë larg prej këndej gjendet Abacia e Vjetër e Oroshit, Internati i hershëm, Selia Kapidanore e rrënuar deri në gërmadha, për t'u ngjitur për në Parkun, Zonë e mbrojtur e Nënshejtit me historitë e panumërta të kohës së benediktinëve e me radhë deri në historitë e mëvonshme.
Fundja, përse kalon një autostradë në lugina të tilla, qoftë dhe për evidentimin turistik të këtyre krahinave, bën pyetjen retorike i moshuari Shkurt Preng Gjeta, në pritje të një kujdesi nga Ministria e Kulturës për këto pasuri kulturore, historike, natyrore që i kemi. Gj.Marku