E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit, qeveria mbush kazinotë me 18-vjeçarë

Kuvendi miratoi dje ligjin për “Lojërat e Fatit”. Nuk merren parasysh propozimet e opozitës

TIRANË- Në mungesë të një strategjie të qartë punësimi për të rinjtë, qeveria ofron si pjesë të zgjidhjes së kësaj kategorie sociale lojërat e fatit. Kjo jo vetëm për t’u punësuar në to, por edhe për të luajtur. Shumica qeverisëse ka miratuar dje me 71 vota pro dhe pa praninë e opozitës, e cila u largua nga salla në shenjë proteste për mosmarrjen parasysh të amendamenteve të saj, ligjin “Për lojërat e fatit”, sipas të cilit të gjithë të rinjtë që mbushin moshën 18-vjeçare do të mund të jenë jo vetëm punëtorë, por edhe aktorë si lojtarë në kazinotë. Ndërkohë që, firmëtar i një pjese të amendamenteve të opozitës është bërë edhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili në një nen të caktuar, siç është neni 26, ka votuar ndryshe nga pjesa tjetër e mazhorancës, çka ka sjellë dhe reagimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila e ka konsideruar jo normale që një anëtar i kabinetit qeveritar voton kundra një ligji të qeverisë.

Amendamentet

Deputetët e opozitës kanë depozituar dje në seancë dy drafte amendamentesh, të cilat në thelb konstatonin në tre propozime konkrete, në rritjen e moshës së lojtarëve të kazinove, në balancimin e tarifave të licencimit dhe taksave. Lidhur me propozimet e një grupi deputetësh, ku kishte firmosur edhe ministri i Jashtëm Lulzim Basha, Bode, duke mbrojtur variantin e qeverisë, është deklaruar prerazi kundër tyre, duke dhënë dhe arsyet e këtij refuzimi. Amendamentet përmbanin një sërë ndryshimesh që kishin të bënin kryesisht me nenin 4, 6 dhe 26 të projektligjit të miratuar dje nga Kuvendi. Më konkretisht, Bode ka sqaruar se propozimi i parë, ai që kishte të bënte me ndryshimin e moshës minimale të shtetasve shqiptarë që duhet të kenë të drejtë të hyjnë, jo vetëm të luajnë, por edhe të punojnë në kazino, nga 18 që u sanksionua në këtë ligj në 22, ishte i papranueshëm për vetë faktin se ai ishte diskriminues. “Propozimi për të rritur moshën minimale të lojtarëve dhe punonjësve të lojërave të fatit, dua të them që në fillim se është i papranueshëm, përveç faktin se mosha 18-vjeçare që kemi vendosur ne në ligj, është dhe mosha që me Kushtetutë personi hyn në një moshë madhore. Nuk e kemi shpikur ne këtë kufi moshe, por e kemi marrë nga të gjitha praktikat e tjera ligjore që kërkojnë një pjekuri të caktuar”, - tha Bode. Gjithashtu, duke mbetur tek propozimi i opozitës për të rritur këtë kufi moshe deri në 22 vjeç, ai ka thënë se në rast se do të pranohej kjo, do të hapej një debat i madh, pasi nuk kemi arsye për ta pranuar, pasi dikush tjetër do të propozonte mosha të tjera dhe kështu debati do të zgjatej pa mbarim. Ndërkohë, në këtë debat ka ndërhyrë dhe ministri i Arsimit, Fatos Beja, i cili ka theksuar se shteti nuk mund t’u mohojë të drejtën për të luajtur apo për t’u punësuar në këto ambiente 18-vjeçarëve, pasi do të shkeleshin të drejtat dhe liritë e njeriut për të zgjedhur. Por, sipas përfaqësuesve të opozitës, ky veprim ishte i papranueshëm, pasi nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të mbushte këto kazino me fëmijë. “Ju po i fusni fëmijët tanë në rrugë të keqe. Po i mësoni që në një moshë fare të papjekur të praktikojnë lojëra dhe punë që përbëjnë vese të këqija, prandaj do të ishte e udhës ta rrisnim këtë kufi moshe në 22 vjeç”, - tha Dokle. Këtu duhet theksuar fakti se ligji aktual vendos moshën 21-vjeçare si kufirin minimal të moshave që lejohet të luajnë apo punësohen në lojërat e fatit.

Licensat

Mazhoranca rrëzoi me votë dhe një tjetër amendament të paraqitur nga socialistët dhe që kishte të bënte me tarifën e licencimit të kazinove. Sipas këtij propozimi, kjo tarifë duhet të ishte e njëjtë, si për ato kazino që kryejnë veprimtari në Tiranë, ashtu edhe për ato në rrethe, ndërkohë që varianti i miratuar dje përmban një diferencim të theksuar, ku ato të kryeqytetit duhet të paguajnë disa herë më shumë. Ministri i Financave e ka konsideruar këtë propozim si të papranueshëm, me argumentin se kazinotë që licencohen në territorin e Tiranës kanë veprimtari në gjithë vitin, ndërsa ato që licencohen në rrethe do të kenë një aktivitet të pjesshëm vetëm gjatë periudhave turistike, prandaj dhe nuk mund të kenë të njëjtën tarifë për licencim. Ndërsa amendamenti i tretë i opozitës, i cili po ashtu nuk u mor parasysh nga mazhoranca, kishte të bënte me taksimin e lojërave të fatit. Propozimi konstatonte në faktin se lojërat e fatit të mos taksohen për xhiro, por për njësi. Ligji i ri parashikon hapjen sërish të ruletave të vogla, me kusht që ato të paguajnë tatime në shuma të mëdha. Kështu, për një ruletë, e cila ka mesatarisht nga tetë deri në dhjetë pozicione, kazinoja duhet të paguajë një tarifë fikse prej një milionë lekësh në muaj dhe 80 mijë lekë në muaj për çdo pozicion. Në total kazinoja duhet të paguajë për një ruletë 1.8 milionë lekë të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›