Bulqizë, mania e skrapit bie mbi bunkerët
Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi shkatërronte bunkerë për skrap, me lëndë plasëse. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zerqan të po kësaj komune, në Rrethin e Bulqizës, në vendin e quajtur Rrushi i Vogël, ku ndodhen një numër i konsiderueshëm tunelesh dhe bunkerësh. Shtetasi Selman Përkola, prej katër ditësh, ka përdorur lëndë plasëse dinamit, për shkatërrimin e bunkerëve në këtë vend. Ai grumbullonte hekur për shitje. Këto shpërthime të lëndës plasëse kanë shqetësuar banorët e fshatit Zerqan, jo vetëm thjesht nga zhurma e shkaktuar, por edhe nga frika e shterimit të mundshëm të ujit të një burimi, që ndodhet poshtë vendit ku bëheshin shpërthimet. Duke marrë shkas edhe nga tragjedia e ndodhur në Gërdec, forcat e policisë kriminale kanë arrestuar menjëherë autorin e këtyre shpërthimeve.