E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet në parlament miratimin e Paketës së Aderimit në NATO


“Hyrja në NATO, fundi i tranzicionit dhe firmosja e fillimit të një epoke të re”


Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje në Parlament, miratimin e Paketës së Aderimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar këtë si një akt madhor dhe një ngjarje me rëndësi historike për vendin. Kreu i qeverisë vuri në dukje se me këtë zhvillim realizohet projekti-ëndërr i të gjithë shqiptarëve dhe garantoi se do të bëjë çdo përpjekje që këtë besim të paprecedent në historinë e këtij kombi, ta shndërrojë në vlera për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe aftësimin e saj për të qëndruar krah për krah vendeve aleate, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.


“Për mua kjo është një ditë reflektimi. Unë dhe shumë nga ju këtu i përkasim asaj gjenerate, e cila për dekada të tëra nuk ka mundur as të ëndërroj dhe të imagjinojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por, ne kemi pasur fatin dhe privilegjin e madh që projektin e ëndrrave dhe periudhën pas shembjes së perdes së hekurt, e cila pa NATO-n nuk do të shembjen kurrë, të punojmë dhe ta shndërrojmë në realitet. Duke qenë protagonist i atyre viteve, unë pata rastin të jem i pari nga opozitarët e vendeve ish-komuniste që të kërkoj anëtarësimin e vendit tim në NATO. Ne votojmë aktin më historik, më solemn, më të rëndësishëm të të gjithë historisë sonë kombëtare që pas shpalljes së Pavarësisë. Ne, votojmë si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Aleancën më të fuqishme dhe më të shkëlqyer të lirisë së të gjitha kohërave. Me votën tonë firmosim fundin e tranzicionit të Shqipërisë, firmosim nisjen e një epoke të re për këtë vend, epokë në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lirë, sot e përjetë. Por, sot nuk është vetëm një ditë mirënjohje, është edhe një ditë përgjegjësie supreme ndaj vetes, familjeve, qytetarëve shqiptarë dhe miqve tanë, pa mbështetjen e të cilëve kjo ditë nuk mund të vinte”, tha kryeministri Berisha në parlament.


Sipas kryeministrit, shqiptarët arkivojnë njërën nga historitë më të dhimbshme të planetit. Një komb tejet jetëgjatë, u shpreh Berisha, me një udhëtim ndër më mundimshmit, me një udhëtim gjatë të cilit përball me pushtime të zgjatura, me diktatura të egra, me copëtime të dhimbshme dhe të pa merituara, me një udhëtim, të cilin kombi ishte i detyruar të mobilizonte, të angazhonte gjithçka dhe çdo gjë, për mbijetesën e tij të kërcënuar në mënyrë permanente. 


“Me të gjitha ato që shqiptarët kanë përjetuar, natyrshëm shtrohet pyetja, se si ata i’a dolën të mbijetojnë barbaritë e të gjitha llojeve, barbaritë e të gjitha ngjyrave, duke qenë gjithë në tokën e tyre dhe në diellin e tyre. Shqiptarët mbijetuan dhe po jetojnë sot këtë ditë, sepse aspirata e tyre për liri dhe dinjitet nuk u shua kurrë. Aspirata e tyre nuk u shua nga asgjë, as nga pushtimet, epidemitë, mjerimet, skamja apo diktatura, por ajo mbeti e gjallë për t’u shndërruar në një realitet në vitet ‘90, mbeti e gjallë për t’u shndërruar në levën e Arkimendit të këtij procesi, të këtij akti madhor që po përjetojmë sot”, nënvizoi kreu i qeverisë.


Një gjeneral i madh amerikan Douglas MacArthur, citoi kryeministri, në fjalën e tij në Kongresin Amerikan do të thoshte; “ushtarët e vjetër s’vdesin kurrë”. 


“Kombet e vjetra s’vdesin kurrë, i tillë është edhe kombi shqiptar”, tha Berisha.


Kryeministri i shprehur mirënjohjen më të madhe të gjithë shqiptarëve, të cilët sakrifikuan për liri dhe dinjitet, çfarë ata kishin më të shtrenjtë.


Berisha i shprehu mirënjohje studentëve, intelektualëve, qytetarëve dhe punëtorëve të Tiranës, që me një kurajë legjendare shembën në Tiranë ‘Murin e Berlinit’, perden e hekurt dhe hapën dyert  e ndaluara, dyert e mbyllura për liri dhe pluralizëm.


Mirënjohje për të gjithë ata qytetarë shqiptarë dhe për ata zyrtarë shqiptarë, të cilët gjatë këtyre viteve, kontribuuan në këtë proces me afrimin e progresiv të Shqipërisë në NATO. Por, sot mirënjohja më e veçantë u takon miqve të Shqipërisë, ndihma  dhe solidariteti i të cilëve ka qenë përcaktues në suksesin e rrugës sonë.


Një mirënjohje të jashtëzakonshme, kryeministri Berisha ia përcolli qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Xhorxh Ë. Bush. 


“Ky mik i madh i kombit shqiptar, në qershor të vitit 2007 solli në Tiranë mesazhet e mëdha dhe historike të kombin e madh amerikan; Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti i tyre, i qëndruan plotësisht deri në realizimin përfundimtar të këtyre dy projekteve, me të cilat shqiptarët, jo vetëm bëhen të lirë, por garantojnë njëherë e përgjithmonë lirinë e tyre”, vuri në dukje kryeministri.


Berisha ju dërgoi një mirënjohje të përzemërt ushtarëve shqiptarë në Afganistan, në Çad, në Bosnje- Hercegovinë, në Gjeorgji, duke i vlerësuar se me misionin e tyre u shndërruan në ambasadorë të shkëlqyer të përfaqësimit të vendit dhe në një faktor të rëndësishëm në afrimin e kësaj dite. 


“Kjo është dita më e lumtur e jetës sime, sepse përmbushim, së bashku me ju, një premtim dhe një projekt ëndërr  për veten, për fëmijët dhe për gjeneratat që vinë. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë NATO-n, Aleancën e madhe të lirisë!”, përfundoi fjalën e tij kreu i qeverisë Sali Berisha.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›