E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanceri i gjirit, nis fushata sensibilizuese

 

“Fito betejën për jetën”. Me këtë moto kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli hapi dje dyert e Kuvendit të Shqipërisë për të promovuar fushatën sensibilizuese mbarëkombëtare, për rrezikun e tumorit të gjirit. Në seancën e posaçme, morën pjesë mjekë, anëtarë të stafeve akademike mjekësore brenda dhe jashtë Shqipërisë, specialistë të Spitalit Onkologjik, shëndetit publik dhe të disiplinave të ndryshme, drejtues të pushtetit lokal, psikologë, emra të njohur të artit, kulturës, intelektualë . “Sot ne jemi rrethuar nga gra të forta që kanë fituar betejën me sëmundjen dhe i kanë dhënë një kuptim të ri jetës. Ne frymëzohemi prej jush që jeni përballur me makthin e që sot jeni këtu për të na kujtuar sa e çmuar është jeta. Unë nuk jam mjeke, por u bëj thirrje të gjitha nënave dhe vajzave: 10 minuta nga jeta juaj mund të shpëtojnë jo vetëm të ardhmen tuaj, por edhe atë të familjes dhe të fëmijëve tuaj”, u shpreh kryetarja e Kuvendit në fjalën drejtuar të ftuarve në seancën e posaçme. Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e palëkundur të Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve shtetërore për të përmirësuar më tej sistemin e shëndetësisë dhe veçanërisht për të intensifikuar luftën kundër tumoreve. “Unë jam këtu për t’ju siguruar se beteja jonë vazhdon. Ne do të dyfishojmë numrin e aparateve të mamografisë. Mamografia dhe pap-testi në spitale do të jenë falas, ashtu siç premtoi Kryeministri Berisha në programin e Qeverisë”. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardhi Spahia theksoi se, pas sëmundjeve kardiovaskulare, tumori mbetet shkaku kryesor i vdekshmërisë në Shqipëri. Duke iu referuar  statistikave, zoti Spahia tha se çdo vit ka 3500 raste të reja të kancerit, nga të cilat 400 janë raste të tumorit të gjirit. Zëvendësministri i Shëndetësisë nënvizoi masat që kjo ministri, edhe në kuadër të reformave tërësore të Qeverisë, ka ndërmarrë për parandalimin e kancerit, duke vënë në dukje pajisjen e poliklinikave me aparatura të mamografisë, ekografisë dhe paptestit. Spahia vlerësoi kontributin e çmuar që Kryetarja e Kuvendit ka dhënë në këtë drejtim. Seancën e përshëndeti profesor Enzo Lattanzio, drejtues i Shërbimit Onkologjik në Spitalin Universitar të Barit, i cili falënderoi dhe vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen që Kryetarja e Kuvendit i jep betejës kundër kancerit. “Në të kaluarën tumori i gjirit shkaktonte vdekjen në 90% të rasteve të sëmundjes, ndërsa sot shkenca ka rrënjosur zgjidhjen e këtij problemi. Rreth 20% të kërkimeve shkencore i dedikohen ndalimit të kësaj sëmundjeje dhe parandalimi me vizita paraprake bën të mundur krejtësisht shpëtimin nga tumori i gjirit. Për këtë qëllim ekzistojnë të gjithë aparaturat diagnostikuese deri në detajet më të imëta të qelizave tumoriale”, tha profesor Lattanzio. Një atmosferë emocionuese në seancë krijoi mesazhi i një gruaje kurajoze në betejën kundër tumorit të gjirit, zonjës Bereta Luarasi. “Unë kërkoj që të gjitha ne të mbledhim forcat dhe energjitë që të luftojmë për jetën, sepse ajo bëhet shumë më e bukur kur e fiton!”, tha Luarasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›