E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Reforma në drejtësi,kërkon konsensusin e opozitës

 

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani tha dje se kompletimi i reformës në sistemin e drejtësisë kërkon konsensusin e politikës. Në një intervistë për BBC-në, Nishani theksoi se ky sistem ka ende probleme, por shtoi se ministri duhet të jetë mburoja kryesore e pavarësisë së gjyqtarit. “Gjyqtari duhet të shikojë te Ministri i Drejtësisë mburojën kryesore të pavarësisë së tij, ashtu siç nga ana tjetër ministri duhet të jetë mbrojtës padyshim dhe i ekzekutimit dhe i vlerësimit dhe respektimit të së drejtës për një gjykim të barabartë dhe të ndershëm të qytetarit përballë trupi gjykues”, tha kreu i dikasterit të Drejtësisë. “Pjesa tjetër e reformës në drejtësi është shumë e gjerë, së pari ka nevojë për dy elemente bazë, një që përfshin politikën që kërkon pjesën konsensuale të politikës në vend, si aktorë që kanë përgjegjësi për zhvillimin dhe evolucionin e mentalitetit të shoqërisë në të cilën ne jetojmë, dhe nga ana tjetër ka të bëjë pikërisht me çështjet e bashkëpunimit dhe partneritetit në arritjen e një legjislacioni të një standardi evropian, mes të gjithë aktorëve që janë të përfshirë në fushën e drejtësisë”, theksoi më tej Nishani. I pyetur mbi problemet e shërbimit përmbarimor, kreu i dikasterit të drejtësisë u shpreh se ekzekutimi i vendimeve të gjykatave është një shqetësim, por shtoi se për të lehtësuar këtë shërbim, parlamenti ka miratuar ligjin për shërbimin përmbarimor privat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›