Topi dekreton ligjin për makinat e zyrtarëve
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje ligjin për heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë. “Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj Shpalljen e ligjit nr. 10 160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil””, thuhet në dekretin nr. 6308 të publikuar dje në faqen zyrtare të Presidencës. Ligji u jep të drejtë vetëm krerëve më të lartë të shtetit të kenë makinë, ndërsa zyrtarët e tjerë, përfshi këtu deputetët dhe zv.ministrat do të përfitojnë bonuse nga buxheti i shtetit. Shpenzimet e karburantit për deputetët do të vendosen nga vetë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ligji sanksionon se duhet të ketë një kriter për ndarjen e fondit, duke i ndarë deputetët sipas qarqeve, largësisë që kanë ata në raport me Tiranën. “Masa e përfitimit financiar mujor për çdo deputet do të miratohet me Vendim të Kuvendit, në bazë të distancës me zonën që ai përfaqëson, por, në nivelin mesatar, kjo masë nuk mund të jetë më shumë se 45 mijë lekë në muaj”, thuhet në nenin 2, pika 2 të këtij drafti. Në variantin e parë të qeverisë, parashikohej që tarifa për shërbimin e transportit të zyrtarëve të kategorisë së dytë, ku përfshihet dhe deputeti, përcaktohet me vendimin e qeverisë, ku efektet financiare përballoheshin nga buxheti i shtetit. Gjithashtu janë përcaktuar edhe limiti i fondit që duhet të përdorin funksionarët e qeverisë, të përfshira në kategorinë e tretë, duke e zbritur në 15 mijë lekë, nga 20 mijë lekë që propozohej në variantin e parë.