Myslimanët shkarkojnë 6 anëtarë të KD
Fatos Mahmutaj
Mbledhja e djeshme e drejtuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar është kthyer në një debat të ashpër midis nënkryetarit të shkarkuar Saimir Rysheku dhe kryetarit Selim Muça. Duke u nisur nga zhvillimet e fundit mes myslimanëve, mesditën e djeshme me urdhër të kreut të KMSH, u mblodh Këshilli i Përgjithshëm Drejtues i këtij institucioni. Menjëherë pas mbledhjes ka reaguar ashpër nënkryetari i shkarkuar i KMSH-së, Saimir Rysheku, i cili tha se në mbledhje ishte refuzuar të trajtohej në rendin e ditës si pikë e veçantë, ankimi i tij për shkarkim nga posti i numrit dy të Komunitetit. Ai tha se në mbledhjen e djeshme i është refuzuar kërkesa për votim të fshehtë të vendimit për shkarkimin e tij nga detyra e nënkryetarit. Gjithashtu mësohet se Rysheku, duke pretenduar se po zbatonte procedurat e mbledhjes së Këshillit Drejtues, ka kërkuar të përfshihej në rendin e ditës edhe ankimi administrativ që ai ka paraqitur në gjykatë kundër shkarkimit. Për këtë Rysheku tha se nuk ka marrë përgjigje zyrtare, duke bërë që të replikonte me kryetarin Selim Muça dhe anëtarë të tjerë të pranishëm në mbledhje. Menjëherë pas kësaj ai pohoi se në mbledhje u dëshmua vazhdimësia e shkeljeve të statutit të KMSH-së, si tendencë e hapur për të imponuar vullnetin e një grupi uzurpues të institucionit të myslimanëve.
Abuzimi me pronat
Në mbledhjen e djeshme debatet kanë prekur edhe çështjen delikate të abuzimit me pronat e Komunitetit Mysliman. “Unë denoncova në Këshillin e Përgjithshëm aferën e radhës të konsumuar nga myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, për shitjen e një prone vakëf me sipërfaqe 2700 metër katrorë tokë në qytetin e Durrësit. Shitja e kësaj prone është bërë me falsifikimin e procesverbalit të mbledhjes së 24 qershorit 2009, ku nuk ishte përcaktuar të ishte në rendin e ditës. Vendimi u bë publik vetëm kur u zbardh procesverbali i mbledhjes. Unë e kundërshtova firmosjen e këtij procesverbali të mbledhjes, duke i komunikuar kryetarit Selim Muça se kjo gjë nuk ishte diskutuar në mbledhje. Po kështu i thashë atëherë kryetarit se po bënim një falsifikim të hapur dhe për këtë kemi detyrime ligjore”, tha Rysheku. Sipas tij, kjo ishte një tjetër përplasje me kryetarin Selim Muça, duke pohuar gjithashtu se gjatë kësaj kohe janë shënuar shumë përplasje midis tyre, pasi Muça shkelte statutin herë pas here me vendimet dhe veprimet e veta në krye të KMSH-së. Burime nga mbledhja pohuan se më tej u diskutua edhe shkarkimi i gjashtë anëtarëve të Këshillit Drejtues, për të cilët Rysheku tha se ishte vepruar në këtë mënyrë për t’iu hequr të drejtën e fjalës, pasi këta ishin persona me integritet moral. Në mbledhjen e djeshme u shkarkuan nga detyra e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, përfaqësuesi i Këshillit të Myftinisë Lezhë; Bilishtit; Gramshit; Shkodrës dhe dy të Tiranës. Shkarkimet e djeshme kanë sjellë debat të ashpër mes të larguarve dhe drejtuesve të mbledhjes, ku të parët kërkonin që votimi për largimin e tyre të bëhej i fshehtë, ndërsa kjo është hedhur poshtë nga drejtuesit e mbledhjes. Pas debateve të shkarkuarit janë larguar nga mbledhja në mënyrë demonstrative. Ish-nënkryetari Rysheku tha se në mbledhje nuk kishte marrë asnjë argument për pushimin nga detyra, por i kishin thënë se në rastin e tij bëhej fjalë për qarkullim kuadri në institucion. Rotacioni i tij në detyrë me drejtorin e Arsimit në KMSH është konsideruar si një lëvizje normale brenda institucionit, kompetenca e së cilës i përket kryetarit Selim Muça.
Mbledhja e djeshme
• Shkarkimi i 6 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues;
• Përfaqësuesi i Këshillit të Myftinisë së Lezhës, Bilishtit, Gramshit, Shkodrës dhe dy të Tiranës;
• Miratimi me votim të hapur i shkarkimit të nënkryetarit Saimir Rysheku dhe caktimi i tij si drejtor i Arsimit në KMSH;
• Caktimi i Betim Truçit nënkryetar i KMSH;
• Refuzohet propozimi i Ryshekut për të zhvilluar votim të fshehtë në rastin e tij;
• Refuzohet të diskutohet ankimi administrativ i Ryshekut kundër KMSH;
• Rysheku pretendon se ka denoncuar një aferë të konsumuar nga myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, për shitjen e një prone vakëf me sipërfaqe 2700 metër katrorë, duke falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së 24 qershorit 2009;
• Diskutimi për çmimin dysheme të Haxhit, 2300 euro;
• Debate mes të shkarkuarve dhe kryetarit Muça e anëtarëve të tjerë të Këshillit Drejtues.