E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ngecin” masterat, fituesit do shpallen në fund të nëntorit

 

Fituesit e masterave të nivelit të parë e të dytë tashmë duhet të ishin shpallur. Por ndonëse fundi i tetorit ishte premtuar si afati i fundit për nisjen e këtij cikli studimesh, kjo gjë nuk ka ndodhur. As në Universitetin e Tiranës as në atë Politeknik e Bujqësor. Disa fakultete janë drejt përfundimit të përzgjedhjes së fituesve. Ndërsa në jo pak prej tyre nuk është bërë asnjë hap para. Në Fakultetin Juridik nëse pyet për masterat në sekretari do të marrësh si përgjigje “Nuk dimë asgjë. Presim të zbardhen vendimet e qeverisë”. E njëjta gjë edhe të Shkencat Sociale, ku janë miratuar tashmë masterat e nivelit të dytë. Tek Shkencat e Natyrës vetëm në disa programe ka nisur dorëzimi i dosjeve nga kandidatët. Të vetmit që duket se do ta përmbyllin më shpejt procedurën e zgjedhjes së fituesve janë Fakulteti i Histori-Filologjisë dhe ai Ekonomik. Tek i pari ka përfunduar dorëzimi i dokumentacionit dhe aktualisht nga sa pohojnë burime nga dekanati po shqyrtohen dosjet. “Fluksi ka qenë i lartë çka bëri që të shtyhen edhe afatet e regjistrimit. Sidomos në degë të caktuara ka pasur kërkesa dy herë më të larta se kuotat”, pohojnë burime nga Fakulteti i Histori-Filologjisë. Ky fakultet do të ofrojë 9 programe studimi master të nivelit të dytë ku do të pranohen 580 studentët. Përzgjedhje do të bëhet me dosje. Ndërkaq, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës do të shpallë më 31 tetor listën e plotë të kandidatëve që do të përfshihen në konkursin e pranimit për ciklin e studimeve master. Burimet zyrtare të këtij institucioni kanë njoftuar të gjithë aplikantët për programin se data e provimit dhe lista e kandidateve që do të hyjnë në provim do të publikohet më datë 31 tetor 2009 në ambientet e këtij institucioni”. Është përcaktuar dhe grupi i hartuesve të testit special, si dhe skema e vlerësimit që do të jetë për secilin program akademik. Kriteri i për-zgjedhjes së fituesve do të jetë rezultati i konkursit. Bazuar në këtë skemë, është vendosur nga hartuesit e testit se pikët maksimale që duhet të grumbullojë një kandidat gjatë gjithë procesit do të jenë 100, ku 60 prej tyre do t’i përkasin testit special, ndërsa pjesa tjetër do të jenë për nivelin e mesatares dhe intervistës që do të japë kandidati i interesuar. Për aplikuesit e këtij viti qeveria ka miratuar rreth 600 vende për gjashtë llojet e programeve master që do të ofrohen në këtë fakultet. Ndërsa tarifa e ndjekjes së studimeve është përcaktuar në vlerën e 100 mijë lekëve për secilin nga këto programe akademike. Ekonom-iku është i vetmi fakultet ku fituesit shpallen mbi bazën e konkursit. Kjo pasi edhe kërkesa për të vijuar aty studimet pas universitare është shumë e lartë.

Shtyhen regjistrimet për part-time

Shtyhet hapja e regjistrimeve për studime part-time. Gjithçka pritet të vendoset pasi Qeveria të miratojë kuotat e pranimit dhe tarifat për këto programe. Fakultetet tashmë i kanë dorëzuar propozimet për kuotat e pranimeve në Ministrinë e Arsimit, institucion që pas kalimit të tyre në Qeveri për miratim do të dërgojë në fakultet udhëzimin mbi procedurat dhe afatet e pranimit (procedurë e cila, sipas afateve të përcaktuara, duhej të ishte kryer). Në total, për këtë vit akademik në të gjitha universitetet publike të vendit do të ofrohen rreth 3 mijë kuota për pranimet me kohë të pjesshme. Pjesa dërrmuese e këtyre kuotave u përkasin fakulteteve përbërëse të Universitetit të Tiranës. Për degën e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të ketë hyrje të palimituar. Kandidatët e interesuar për këtë cikël studimesh fillimisht duhet të paraqesin pranë çdo fakulteti dosjen e dokumenteve të kërkuara. Në bazë të dokumenteve që përmban dosja do të bëhet selektimi i personave fitues, sipas kuotave që do të miratojë qeveria për secilin fakultetet. Për të gjitha rastet kur fluksi i kërkesave do të jetë më i lartë sesa numri i kuotave të miratuara, do të përdoren kritere përzgjedhëse, siç është mesatarja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›