Vasili në Kroaci, gati marrëveshja
Ministria shqiptare e Shëndetësisë dhe ajo kroate kanë gati marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre në një sërë fushash që përfshin shëndetin publik, reformat në financim dhe trajnim mjekësh. Marrëveshja është negociuar në takimin e ministrit tonë të Shëndetësisë Petrit Vasili, me homologun e tij kroat. Vasili ndodhet në Kroaci, ku merr pjesë në Takimin Ministerial për reformat shëndetësore. Gjatë qëndrimit aty ministri Vasili është takuar dhe me homologë të vendeve të tjera. “Shqipëria është në rrugën e duhur sa i përket reformave në shëndetësi. Por kemi ende shumë punë për të bërë”, është shprehur Vasili. Ai ka shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me të gjithë vendet pjesëmarrëse të rajonit. Negocimi i draft marrëveshjes që pritet të miratohet përfshin asistencë dhe bashkëpunim ne aplikimin e një sërë reformash. Gjithaq, parashikohen edhe trajnime për mjekët tanë. Në muajin janar do të nisë vlerësimi me kredite i bluzave të bardha. Sipas ministrit Vasili, edukimi i vazhdueshëm i mjekëve është një ndërhyrje e domosdoshme për të çuar përpara shëndetësinë tonë.