E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas shkarkimit, Rysheku denoncon abuzimet me pronat e Komunitetit

 

TIRANE - Saimir Rysheku, nënkryetari i shkarkuar i myslimanëve pak ditë më parë, pasi u njoh me vendimin e kryetarit të KMSH-së, Selim Muça për shkarkimin nga detyra, denoncoi në media disa raste të abuzimeve me pronat vakëf. Vetëm pasi u shkarkua nga detyra, ai denoncoi publikisht duke pretenduar se edhe më parë ka pasur të njëjtin qëndrim si nënkryetar i KMSH-së. Sipas tij, një nga rastet tipike të abuzimeve ishte trualli mbi të cilin po ndërtohet një pallat në qendër të kryeqytetit, ku veç të tjerash biznesmeni që po e ndërton kërcënoi ish-myftiun e Tiranës. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme, Rysheku duke vazhduar në këtë linjë, mësohet se ka denoncuar rastin e abuzimit me një pronë vakëf në qytetin e Durrësit, e cila ka një sipërfaqe të konsiderueshme prej 2700 metër katrorë. Po kështu, Rysheku, gjatë prononcimeve të tij në media ka denoncuar edhe disa raste të tjera të abuzimeve me pronat e myslimanëve, duke pretenduar se ato janë shitur në shkelje të statutit të KMSH-së dhe parimeve të fesë. Duke folur me hollësi për këto abuzime, Rysheku pohoi se shitjet e pronave apo kontratat për dhënie të tyre me përqindje, nuk janë diskutuar asnjëherë nëpër mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të Myslimaneve, por janë firmosur në mënyrë të fshehtë nga myftinjtë e rretheve dhe kreu i KMSH-së.                  f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›