E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i lekures si te mbrohemi

Ekspozimi pa kremrat mbrojtës në diell sjell risqe të mëdha për lëkurën. Pakujdesia ka bërë, që vitet e fundit të shfaqet dendur dhe kanceri i lëkurës. Ndaj mjekët këshillojnë që personat, të cilët kanë shumë nishane dhe lëkurë të tipit 1 përpara së të shkojnë me pushime të konsultohen me dermatologët. Mjekë thonë se për të parandaluar kancerin, nëse është e nevojshme, mund t’i heqin nishanet.

“Të gjitha nishanet që duhen hequr dhe që mjekët dermatologë rekomandon heqjen e tyre u bëj thirrje të gjithë përsonave që duhen hequr këto nishane. Sot edhe në Shqipëri janë futur aparatura. Përveç syrit klinik të mjekut dermatolog, që tashmë i njohin nishanet që nuk janë të mira, ekzistojnë edhe aparatura siç është dermatoskopia, që e vërteton akoma më tepër predispozicionin e këtyre nishaneve për tu transformuar në nishane jo të mira” tha Ermira Vasili, shefe e Sherbimit te Dermatologjise në QSUT.

Këto probleme të lëkurës, sipas shefes së Shërbimit të Dermatologjisë pranë QSUT, edhe pse shfaqen ne moshe te pjekur, zanafillën e kanë që në fëmijëri. Pasi prindërit neglizhojnë dhe i ekspozojnë në diell pa kriter e pa mbrojtesat e nevojshëm fëmijët e tyre.

“Nuk duhet që fëmijët të dalin në rrezatimin diellor pa u mbrotjur nga këto kremra mbrojtës. Mbrojtja gjatë moshës fëmijërore është e nevojshme për të parandaluar këto nishane në moshën adulte. Është djegia, akumulimi i rrezatimit diellor gjatë gjithë jetës që i bën këto nishane të transformohen në moshën më të madhe” tha Vasili.

Një lëkurë e pambrojtur nga dielli pëson gjithashtu dhe plakje të parakohshme, por dhe njolla të errëta, cilat janë shumë të vështira për tu riparuar.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›