“Kandidatë me integritet në Kushtetuese”
Aristir LumeziAmbasadorët më të rëndësishëm në Tiranë, në një zë të përbashkët, i kanë kërkuar politikës të qëndrojnë larg Gjyk-atës Kushtetuese. Të ftuar në tryezën e organizuar nga ish presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, "Demokracia dhe shteti i së drejtës. Roli i Gjykatës Kushtetuese", ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhërs, Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona McIlëham, si dhe Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në vigjilje të emërimit të gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë, i bënë apel politikës që të mos politizojnë këto institucione. Sipas tyre, në këto gjykata duhet të emërohen juristë me integritet profesional. Mbështetja e ambasadorëve ndaj Gjykatës Kushtetuese vjen menjëherë pas rrëzimit të disa ligjeve të rëndësishme nga kjo gjykatë gjatë muajit janar, si Lustracioni, Pakti detar me Greqinë por dhe Trajtimi me mjete transporti i gjyqtarëve. Pas këtyre vendimeve, nga ana e maxhorancës pati akuza të rënda në adresë të anëtarëve të saj. Ambasadori amerikan në Tiranë, Uithërs tha se detyra e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është vetëm mbrojtja e kushtetutës. "Kur flasim për zgjedhje, ato bëhen në kontekstin e një shteti demokratik nëse këtë parim do ta përmblidhnim me një frazë të vetme atëherë ajo do të ishte; shoqëria dhe institucionet duhet t'i qëndrojnë ligjit bazë të vendit që është Kushtetuta dhe institucioni që e mbron atë është Gjykata Kushtetuese. Ne mbështesim një proces transparent për përzgjedhjen dhe vetëm në këtë mënyrë, Kushtetuta mund të kuptohet plotësisht dhe ata që do të zgjidhen duhet të kuptojnë se puna e tyre do të jetë vetëm ajo e mbrojtjes së përcaktimit të të drejtave kushtetuese dhe jo ndonjë gjë tjetër. Në këtë mënyrë ruhet Kushtetuta. Vetëm kështu mund të sigurohet pavarësia e një prej gjykatave më me peshë në demokracinë e një vendi", u shpreh Uithërs. Duke mirëpritur iniciativën e tryezës së djeshme, Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona McIlëham, tha se "një gjyqësor i pavarur është një nga gurët themelorë të një vendi demokratik dhe një kriter i Bashkimit Evropian. Gjykata Kushtetuese ka një rol qendror. është jetike që procesi përzgjedhës i anëtarëve të rinj të tërheqë kandidatët më cilësorë dhe të forcojë më tej integritetin dhe profesionalizmin e Gjykatës. Kjo është e rëndësishme për demokracinë dhe reformat në Shqipëri. Shpresoj të shoh një proces të suksesshëm që do të ndihmojë funksionimin e kësaj gjykate", u shpreh Ambasadorja britanike. Ndërsa Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch tha dje se "e rëndësishme për funksionimin e demokracisë në Shqipëri është që të parandalohet politizimi i çdo institucioni në vend, në mënyrë të veçantë për institucionet e sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese".Gjyqtarët që ikinGjykata kushtetueseKujtim Puto 01.04.2010Sokol Sadushi 27.04.1010Fehmi Abdiu 27.04.2010Xhezair Zaganjori 21.05.2010Petrit Plloçi 21.05.2010Admir Thanza 21.05.2010Gjykata e LartëIrma Bala 09.04.2010Evjeni Sinoimeri 02.05.2010Luan Omari: Gjyqtarët duan 84 vota në KuvendKostitucionalisti i njohur Luan Omari tha dje gjatë tryezës për rolin e Gjykatës Kushtetuese se emërimi i anëtarëve të kësaj gjykate do ishte mirë të bëhej me shumicë të cilësuar. "Fatkeqësisht Kushtetuta ka lënë që zgjedhja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të bëhet me një shumicë të thjeshtë, madje dhe me shumicën e shumicës së deputetëve që janë të pranishëm në Kuvend, pra dhe me 36 vota. Natyrisht që kjo nuk i përgjigjet rolit të gjykatës dhe peshës që ka anëtari i Gjykatës Kushtetuese në procesin demokratik në vend. Zgjidhja do të ishte që nëse bëhen ndryshimet kushtetuese, të shihet mundësia që edhe emërimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të bëhet me shumicë të cilësuar, me 3/5", u shpreh Omari. Ndërsa juristja e njohur Aurela Anastasi tha se për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kërkohet konsensus politik. "Në fund të fundit procedura është e tillë, në përfundim të çon në një procedurë konsensusi. Ky është qëllimi, nuk diktohet aspak marrja e vullnetit politik të Parlamentit ose ajo që është bërë deri diku me marrëveshje midis partive politike", u shpreh Anastasi.Moisiu: Kujdes me Kushtetuesen, do zgjidhet shumica deri në 2019Gjykata Kushtetuese të ketë integritet profesional dhe jo varësi politike. Dy presidentët e fundit, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani në tryezën me ambasadorët dhe ekspertët e fushës së jurisprudencës për rolin e Gjykatës Kushtetuese, u shprehën për integritet profesional dhe jo ndikim partiak të këtij institucioni të pavarur. "Në të gjitha vendet demokratike, sistemi i mandateve për këto institucione është ndërtuar i tillë që të mos ketë ndërrime kolektive, duke paraparë kufizimin e mundësive për kontroll politik të Gjykatës Kushtetuese", tha Moisiu. Sipas tij, Në Shqipëri, me përvojën e deritanishme, kemi krijuar precedentë jo aq pozitivë, gjë e cila na bën të jemi tepër të kujdesshëm në momentet e zgjedhjes së anëtarëve të saj. Ish presidenti Meidani tha dje se "përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese do të ishte mirë të merrte miratimin e 84 votave në Parlament, por në kushtet aktuale dhe me ndryshimet kushtetuese të ndodhura, kjo nuk është e arritshme. Në këtë rast një proces përzgjedhjeje i hapur do të ishte rruga e duhur". "Nga pëlqimi i thjeshtë kushtetues, unë do të doja që të bëhej një pëlqim me mbi 84 vota deputetësh, në mënyrë që të realizohet në mënyrë sa më të prekshme, nga pikëpamja e kurrikulës të veçantë profesionale etike e kandidatëve. Në kushtet aktuale një emërim i tillë i konsideruar më parë si një diskrecion presidencial, po zëvendësohet nga diskrecioni kryeministror, apo i shumicës parlamentare, ndërsa çështja e shkarkimit ka një mbrojtje tepër të fortë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese", u shpreh Meidani. Ndërsa pasardhësi i zotit Meidani, ish presidenti Alfred Moisiu, i cili kishte organizuar tryezën e djeshme, tha se cilësia profesionale dhe jo politike e anëtarëve të rinj të kësaj gjykate do të përcaktojë dhe qëndrimin e Gjykatës kushtetuese për shumë vitet e ardhshme. "Në periudhën mars-maj, i takon të zgjidhen gjashtë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, çka përbën shumicën vendosëse të kësaj gjykate. Kështu praktikisht deri në vitin 2019 do të kemi një shumicë të pandryshueshme dhe në qoftë se për përzgjedhjen dhe emërimin e tyre nuk do të tregohet kujdesi dhe përgjegjësia e duhur, mund të jetë plotësisht e mundshme që ky institucion tepër i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të vendit të kthehet në një institucion regresiv", u shpreh Moisiu.Sollaku: Me rëndësi integriteti profesionalIsh Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku i kërkoi Presidentit të Republikës që në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave të konsultohet me juristët. Sollaku nënvizoi rolin e rëndësishëm që ka Gjykata Kushtetuese, dhe veçanërisht procesi i përzgjedhjes së kandidaturave. Duke u ndalur tek dy komponentët shumë të rëndësishëm të integritetit të kandidatëve, atë moral dhe profesional, Sollaku theksoi se informacionet që do të marrë nga burime të ndryshme Kryetari i Shtetit për anën morale të kandidatëve, duhet të jetë i besueshëm dhe i verifikueshëm. "Nga ana tjetër, aftësitë profesionale të kandidatëve, lypset të përcaktohen duke u nisur nga rezultatet në punë të kandidatëve që janë gjyqtarë në sistem, por edhe nga kontributet e tyre si dhe të juristëve të tjerë, kandidatë potencial për në këtë gjykatë, në fushën e të drejtës kushtetuese", tha Sollaku. "Integriteti i secilit kandidat, shtoi ai, është bazë e fortë për integritetin e institucionit të Gjykatës Kushtetuese në tërësi. I takon Presidentit të Republikës që të vlerësojë me kujdes integritetin moral dhe profesional të çdo kandidati përpara emërimit të tyre".