E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët, LSI miraton emrat e Dibrës

Kryesia e LSI-së miratoi dje kandidaturat për disa qarqe të vendit. Si kandidatura për deputetë në Shkodër, përveç prof. Sokol Axhemit dhe ish-kampionit të sportit Seit Fishta, kaloi edhe emri i sociologes Nora Malaj. Në Gjirokastër u miratuan si kandidatura për deputetë prof. Luan Memushi dhe Genc Sinoimeri. Në Qarkun e Lezhës, listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së do ta udhëheqë anëtari i Kryesisë dr. Gjovalin Bushi. Kryesia e LSI-së miratoi listën e plotë të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Dibrës, si: Monika Kryemadhi, Agim Hysa, Ilir Balla, Bajram Krashi, Nazmi Kaja, Lutfije Meta. Kryesia e LSI-së miratoi edhe sloganin e fushatës "Koha për Veprim", ndërsa LRI-ja miratoi sloganin "Rinia në Veprim". Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi me të larguarit nga puna, premtoi kthimin në vendet e punës të gjithë ata që janë larguar për arsye politike. Duke folur për qeverisjen e ardhshme të LSI-së pas 28 qershorit, ish-kryeministri Meta u shpreh se "ne do të kemi prioritet zbatimin dhe respektimin e atij ligji, i cili bazohej mbi vlerat e meritokracinë dhe mbi qëllimin e shtetit, pavarësisht nga ndryshimet e partive që fitojnë apo humbasin zgjedhjet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›