E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, NATO bashkon pozitën dhe opozitën

Kuvendi miratoi dje me unanimit të plotë paketën ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ndryshe nga herët e tjera, mazhoranca dhe opozita kanë lënë mënjanë akuzat dhe debatet e zakonshme duke unifikuar qëndrimin e tyre në një emërues të përbashkët se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një hap historik që duhet vlerësuar dhe festuar nga të gjithë shqiptarët. Administrata e Kuvendit kishte punuar për të krijuar një ambient feste që sa hyje në sallën e seancave. Kudo kishte flamuj të NATO-s dhe flamuj shqiptarë duke e bërë më të ngrohtë sallën e madhe të Kuvendit. Po ashtu edhe pjesëmarrja e qeverisë dhe e deputetëve ishte më e lartë se herët tjera. Në këtë seancë kanë munguar diskutimet e lira, duke i lënë gjithçka anëtarësimit në NATO dhe fjalimeve përshëndetëse të kryeparlamentares Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, dhe kryetarit të grupit të PD-së, Astrit Patozi. Fjalën e përshëndetjes e mbajtën edhe kryetari i grupit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, ai i PR-së, Arian Madhi, si dhe kryetari i komisionit add hoc për NATO-n, Leonard Demi. Të pranishëm në seancë ishin pjesa më e madhe e ambasadorëve të huaj që janë të akredituar në vendin tonë. Me votimin e paketës ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Shqipëria mbylli siparin e një procesi ratifikimesh, i cili u kurorëzua në një kohë rekord, me votimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë nga parlamentet, senatet dhe qeveritë e 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut. Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj falënderoi vendet e NATO-s që në qeveritë, parlamentet e senatet e tyre, votuan për ne, votuan rezultatet e reformave që ne kemi bërë, votuan një Shqipëri që në këto vite është transformuar në mënyrë marramendëse. Ata na besuan ne, tha Topalli, që të përballemi në krah të SHBA, Evropës, Kanadasë, me sfidat e këtij shekulli. Kryeministri Berisha tha se me këtë votim shqiptarët garantojnë liritë dhe të drejtat e tyre të fëmijëve dhe gjeneratave që vijnë. Më tej Berisha theksoi se tashmë shqiptarët arkivojnë një nga historitë më të dhimbshme të planetit. Sipas tij, shqiptarët mbijetuan dhe po jetojnë sot këtë ditë, sepse aspirata e tyre për liri dhe dinjitet nuk u shua kurrë. "Aspirata e tyre nuk u shua nga asgjë, as nga pushtimet, epidemitë, mjerimet, skamja apo diktatura. Por, ajo mbeti e gjallë për t‘u shndërruar në një realitet në vitet ‘90, mbeti e gjallë për t‘u shndërruar në levën e Arkimedit të këtij procesi, të këtij akti madhor që përjetojmë sot. Kombet e vjetra nuk vdesin kurrë, i tillë është edhe kombi shqiptar", u shpreh Berisha. Si ditë historike e vlerësoi seancën e djeshme edhe kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Ajo insistoi se ka ardhur momenti kur Shqipëria renditet si një anëtar me të drejta të plota, krah demokracive perëndimore në një aleancë të vlerave demokratike. Pa dyshim theksoi Leskaj, që ajo që na solli deri këtu ka qenë një kontribut i përbashkët, i gjithë shoqërisë shqiptare, i mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›