Meta prezanton Shezai Rrokajn si kandidat të LSI-së në Njësinë Bashkiake Nr. 2
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Njësinë Bashkiake Nr. 2 në Tiranë. Në këtë takim Meta prezantoi si kandidat për deputet të LSI-së në Njësinë Nr. 2 ish-rektorin e Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj. Në fjalën e tij në këtë takim Meta shprehu bindjen në suksesin e LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai tha se ky sukses do të burojë nga programi dhe alternativa e qartë që ofron LSI-ja, në thelb të së cilët është punësimi i shqiptarëve. Ai tha se LSI-ja ka një plan konkret për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës. “Ne kemi një program shumë të qartë, që e kemi bazuar nga fillimi deri në fund te punësimi. Alternativa që vërtetë që jep siguri, begati dhe integrim për shqiptarët është vetëm alternativa e punësimit, e krijimit të mundësive për punësim për të gjithë, që të ushtrojnë aftësitë dhe talentet e tyre në profesione të caktuara, në sfera të caktuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të jetojnë me dinjitet, të mbajnë familjet e tyre me dinjitet dhe të rrisin fëmijët me dinjitet. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë vërtet të jemi të qetë dhe të sigurt, sepse është një shoqëri e cila po punon në strese të jashtëzakonshme, sepse nuk ka asnjë politikë, që t’i orientojë njerëzit, që t’i ndihmojë dhe t’i lehtësojë problemet e tyre. Ju e shikoni se në çfarë gjendjeje është situata ekonomike në vend, në çfarë gjendjeje është biznesi në përgjithësi dhe qeveria nuk do t’ia dijë fare, nuk merr asnjë masë për këtë gjë. Do të hapë 300 mijë vende pune, thotë Sali Berisha, për 4 vitet që vijnë, ndërkohë që para disa ditësh u deklarua se u mbyllën 11 mijë vende pune nga industria e fasonëve, e prodhimit të veshjeve me material porositës, që është industria që ka numrin më të madh të të punësuarve, rreth 100 mijë veta dhe janë kryesisht vajza dhe gra”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
14 Maj 2009