E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicionet, 28 partitë politike që pretendojnë pushtetin

Emrat e partive që konkurrojnë për zgjedhjet e 28 qershorit në radhët e katër koalicioneve kryesore

Shaban Sulçe

Ndonëse për zgjedhjet parlamentare, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 45 parti politike, vetëm 28 prej tyre konsiderohen favorite për të qenë fitueset e mundshme të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Edhe pse shumica prej këtyre 28 partive nuk kanë peshë të madhe elektorale, ato klasifikohen si pretendente për të qenë në radhët e fituesve, duke qenë se janë rreshtuar në koalicionet e udhëhequra nga katër forca të madhe politike, si PD, PS, LSI dhe PDK, të cilat hyjnë në zgjedhjet e 28 qershorit me objektivin për të qeverisur vendin. Gjatë kësaj periudhe deri dje, kur ka qenë edhe afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve pranë KQZ-së për zgjedhjet e 28 qershorit, liderët e katër koalicioneve kryesore kanë zhvilluar negociata për afrimin pranë tyre të partive aleate. Në vorbullën e 45 subjekteve të regjistruara në KQZ, vetëm 24 prej tyre kanë hyrë në planet elektorale të Berishës, Ramës, Metës dhe Meksit. Për pjesën tjetër të partive, konkurrimi në zgjedhjet e 28 qershorit mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm një aventurë pa pretendime. Kodi i ri Zgjedhor e çon në zero probabilitetin e partive të vogla, të cilat konkurrojnë më vete për fitimin e mandateve të deputetëve.

Koalicioni i Berishës
Koalicioni i Partisë Demokratike rezulton të jetë koalicioni me numrin më të madh të siglave dhe subjekteve politike. Ndonëse shumica e këtyre partive nuk kanë aspak peshë në elektorat, kryeministri Sali Berisha ka arritur të fitojë “garën” me rivalët e tij duke mbledhur rreth koalicionit që drejton numrin më të madh të partive dhe subjekteve partiake për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Plot 11 parti politike përbëjnë koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, një numër më i madh ky krahasuar me koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste, me atë të drejtuar nga LSI-ja apo me koalicionin “Poli i lirisë”. Kryeministri Berisha nuk ka ngurruar të mbledh rreth vetes edhe parti të krijuara, pas konflikteve të liderëve të tyre, si në rastin e Partisë së Ballit Kombëtar dhe Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat. E njëjta gjë mund të thuhet edhe me marrëveshjet që Berisha ka nënshkruar me Partinë Lidhja Demokristiane të Nikollë Lesit dhe Partisë Demokristiane të Anton Gurakuqit. Berisha ka mbledhur rreth koalicionit të tij edhe dy ish-aleatë të së majtës, Xhuvelin e Partisë Agrare Ambientaliste dhe Neritan Cekën e Partisë Aleanca Demokratike.

Koalicioni i PS-së
Do të quhet koalicioni “Bashkimi për ndryshim” dhe do të drejtohet nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. I shpallur dy ditë më parë, “prurja” më e re në këtë koalicion është Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Përveç Partisë Socialiste, në këtë koalicion bëjnë pjesë edhe pesë parti të tjera, pra Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, Partia G99 e Erion Veliajt, si dhe PBDNJ-ja e Vangjel Dules. Krerët e këtij koalicioni kanë deklaruar se hyjnë në zgjedhjet e 28 qershorit me objektivin për t’i fituar të vetëm ato, duke siguruar mbi 70 mandate deputetësh.

Koalicionet e tjera
Koalicioni “Aleanca socialiste për integrim”, e drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta, ka në përbërje 6 parti politike: LSI-në, Partinë Socialiste të Vërtetë ’91, të drejtuar nga Petro Koçi, Partinë e Gjelbër, të kryesuar nga Edlir Petanaj, Partinë Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e Ligoraq Karamelos, Partinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve e drejtuar nga Ymer Kurti si dhe Partinë Toleranca e Re e drejtuar nga Avdi Keçi. Koalicioni i katër “Aleanca për polin e lirisë”, i drejtuar nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, përbëhet gjithashtu nga 6 parti, përkatësisht Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi Demokrat, Partia Konservatore, Partia “Rruga e lirisë” dhe Partia e Reformave Demokratike.

Partitë pjesëmarrëse të katër koalicioneve kryesore

Koalicioni i Partisë Demokratike
Numri i partive pjesëmarrëse: 11
Forca kryesore: Partia Demokratike
Drejtuesi i koalicionit: Sali Berisha
1-Partia Demokratike Sali Berisha
2-Partia Republikane Fatmir Mediu
3-Partia Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli
4-Partia Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia
5-Partia për Drejtësi dhe Integrim Tahir Muhedini
6-Partia Demokristiane Anton Gurakuqi
7-Partia Aleanca Demokratike Neritan Ceka
8-Partia Lidhja Demokristiane Nikollë Lesi
9-Partia Balli Demokrat Adriatik Alimadhi
10-Partia Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi
11-Partia Bashkimi Liberal Demokrat Arian Starova

Koalicioni “Bashkimi për ndryshim”
Numri i partive pjesëmarrëse: 5
Forca kryesore: Partia Socialiste
Drejtuesi i koalicionit: Edi Rama
1-Partia Socialiste Edi Rama
2-Partia Social-Demokrate Skënder Gjinushi
3-Partia Demokracia Sociale Paskal Milo
4-Partia G99 Erion Veliaj
5-Partia Bashkimit për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule

Koalicioni “Aleanca socialiste për integrim”
Numri i partive pjesëmarrëse: 6
Forca kryesore: LSI
Drejtuesi i koalicioni: Ilir Meta
1-Lëvizja Socialiste për Integrim Ilir Meta
2-Partia Socialiste e Vërtet 1991 Petro Koçi
3-Partia e Gjelbër Edlir Petanaj
4-Lëvizja për Liritë dhe Drejtat e Njeriut Ligoraq Karamelo
5-Partia për të Drejtat e Emigrantëve Ymer Kurti
6-Partia Toleranca e re Avdi Keçi

Koalicioni “Poli i lirisë”
Numri i partive pjesëmarrëse: 6
Forca kryesore: PDK dhe LZHK
Drejtuesi i koalicionit: Aleksandër Meksi
1-Partia Demokristiane Nard Ndoka
2-Lëvizja për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi
3-Partia Konservatore Armando Ruço
4-Partia Bashkimi Demokrat Ylber Valteri
5-Partia “Rruga e lirisë” Shukrane Muda
6-Partia e Reformave Demokratike Skënder Halili

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›