Kandidatët e Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, takohen me banorë të komunës Farkë

Strazimiri: Pjesëmarrja dhe entuziazmi dëshmon se Farka ka nisur festën e fitores së PD-së
Kandidatët e Partisë Demokratike për qarkun më të madh të vendit, Tiranën, Gent Strazimiri, Majlinda Bregu, Rajmonda Bulku, Lajla Përnaska, Viktor Gumi dhe Taulant Bino, kanë zhvilluar një takim me banorë të komunës Farkë dhe njësisë nr. 2 në kryeqytet.
Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, duke falënderuar mbështetjen që i japin gjithmonë Partisë Demokratike, i siguroi ata se “në mandatin e ardhshëm, PD do të rrisë investimet dhe grandet për komunën Farkë edhe në kuadër të zhvillimit të zonave turistike”.
Kandidatja tjetër, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka bërë një krahasim mes investimeve që ka bërë qeveria në zonat rurale, dha atyre që ka bërë Bashkia e Tiranës. Sipas saj investimet e qeverisë në zonat rurale duhet të jenë shembull për bashkinë e Tiranës dhe Edi Ramën, që e kanë lënë kryeqytetin pa gjelbërim dhe me infrastrukturë të rënduar.
“Këtu në komunën tuaj bëhen lehtë disa dallime ndërmjet Ramës, që na ka detyruar ne në Tiranë të jetojmë pa gjelbërim dhe pa infrastrukturë, ndërsa zona juaj është kthyer në një perlë të vërtetë. Ndaj, më datën 28 qershor të gjitha votat tuaja duhet të jenë për Partinë Demokratike”, u shpreh Bregu.
Ndërsa, kandidatja e PD-së, Lajla Përnaska, shprehu bindjen se gjatë mandatit të dytë qeverisës të së djathtës “Shqipëria do të njohë zhvillim dhe rezultate edhe më pozitive për sa i përket reformave”.
Kandidatët e PD-së kërkuan votën më 28 qershor, jo vetëm nga anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike, por edhe të majtët, të cilët janë të zhgënjyer nga kreu socialist, dhe për këtë arsye sipas kandidatëve demokratë ata do të gjejnë tek alternativa e djathtë do të gjejnë sigurinë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
...