E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Duam zgjedhje korrekte dhe të ndershme

Nga A.Kaja

Edhe pse vizita e ambasadorit amerikan, John Withers, në qytetin muze është konsideruar si një vizitë private, ai nuk i ka lënë pa takuar përfaqësuesit e pushtetit vendor, ku tema kryesore e bisedimeve ka qenë mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

I mbërritur rreth orës 10:30 minuta të ditës së djeshme, takimin e parë ambasadori amerikan, Withers, e ka pasur me kryetarin e Bashkisë së qytetit të Beratit, Fadil Nasufi, takim që është zhvilluar pa praninë e medieve. Më pas Withers ka vijuar takimin në prefekturën e Beratit me prefektin, Thoma Rumniçi, dhe stafin drejtues të këtij institucioni. Prefekti Rumniçi, pasi e njohu ambasadorin amerikan me zhvillimet në qarkun e Beratit, është shprehur se vizita e tij në institucionin e prefektit do të jetë si një pikë referimi për të bërë gjithçka më mirë, ashtu siç ndodh në Amerikë.

Ambasadori amerikan, John Withers, në fjalën e tij, pasi e ka cilësuar qytetin e Beratit qytet me një kulturë e vlera të rralla historike e arkitektonike, tashmë pjesë e UNESCO-s, tha se ky qytet po tërheq çdo vit e më shumë turistë vendas e të huaj.

“Madje, krahas turistëve të tjerë, Beratit do të ketë gjithnjë edhe më shumë edhe vizitorë dhe turistë amerikanë”, - ka thënë Withers.

“Unë kam ardhur edhe herë tjetër në Berat dhe kam konstatuar se, veç vlerave të rralla si qytet, këtu ka njerëz shumë të mirë, me kulturë dhe mikpritës, vlera që janë për t’u admiruar”, - ka vlerësuar Withers.

Në pjesën tjetër të fjalës së tij ambasadori amerikan Withers është ndalur edhe në procesin zgjedhor që do të zhvillohet më 28 qershor në vendin tonë. Ai i ka cilësuar këto zgjedhje si një proces shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Beratin, por për të gjithë Shqipërinë. “Ajo për të cilën janë të interesuar amerikanët, - ka thënë Withers, - nuk është rezultati i këtyre zgjedhjeve, por e rëndësishme është që koalicioni fitues të vazhdojë miqësinë e deritanishme me SHBA”.

Këto zgjedhje, ka theksuar ambasadori Withers, kanë një rëndësi shumë të madhe për Amerikën, sepse, siç u shpreh ai, SHBA kanë pjesën e saj në këto zgjedhje, si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të shqiptarëve dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndaj ka kërkuar që standardet e këtij procesi të jenë më të larta se ato të zgjedhjeve të mëparshme të zhvilluara në Shqipëri.

Gjithashtu, ambasadori amerikan, Withers, ka thënë se është mjaft e rëndësishme që këto zgjedhje të jenë të ndershme dhe transparente dhe për këtë kërkohet pajisja e të gjithë shtetasve me karta identiteti brenda datës 28 qershor.

Pyetjes në lidhje me transparencën e listave të partive kryesore politike pranë KQZ, Withers i është përgjigjur se: “është e drejta e çdo partie politike të paraqesë në këto lista kandidatët e saj më të mirë dhe stafet e ngritura për monitorimin e zgjedhjeve do të kenë akses të kontrollojnë të gjithë procesin zgjedhor, për të cilin shpresojmë të jetë transparent dhe i ndershëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›