Kandidatët për deputetët të PS-së, të gatshëm të zëvendësojnë në Parlament bojkotuesit e vënë nën presion nga Rama
Specialistët shpjegojnë në bazë të Kushtetutës, mënyrën e shpalljes së pavlefshme mandateve të deputetëve që refuzojnë të hyjnë në Parlament
Kandidatët për deputetët të PS-së, të cilët nuk mundën të fitonin ndonjë mandat në zgjedhjet e 28 qershorit, shprehen të gatshëm, të hyjnë në Parlament, në rast se KQZ-ja, do t’u njihte të drejtën atyre, për të zëvendësuar deputetët bojkotues të kësaj partie.
Juristi Ylli Manjani, i renditur i treti në listën e kandidatëve për deputetet në Qarkun e Dibrës ku PS-ja arriti të fitojë vetëm 2 mandate në zgjedhjet e qershorit, deklaron se do të zbatojë Kushtetutën duke shkuar në parlament në rastin kur mandatet e dy kolegëve të tij do të cilësohen si të pavlefshëm për shkak të bojkotit. Manjani mbështet interpretimin që juristët i bëjnë Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës duke i cilësuar se të pavlefshëm mandatet e deputetëve të grupit parlamentar socialist. Ai thotë se ditën që KQZ do ta njoftojë se ka marrë vendim për t’i dhënë mandatin si kandidat të radhës në listën e PS, ai do të jetë prezent në parlament për të përfaqësuar votuesit dibranë.
“Mandati është i pavlefshëm kur s’bën betimin. Kjo që po bëjnë ata që i binden Ramës është shkelje e rënde e Kushtetutës. Ata që shprehen pro bojkotit janë persona të pavotuar. Jam për hapjen e kutive, por kur presioni e kalon cakun ligjor ai është i papranueshëm. Ne kemi përgjegjësi politike të shkojmë në parlament”, argumenton Manjani gatishmërinë e tij.
I pyetur nëse ka parasysh atë që parashikon statuti për shkelësit e vendimeve të forumeve të selisë rozë, Manjani bën të ditur, se edhe tashëm Edi Rama e ka përjashtuar atë.
“Përjashtimi, unë aktualisht jam i përjashtuar nga PS, Rama nuk më thërret në asnjë takim partiak. Është absurd të përdoren metodat enveriste si kërcënimi me përjashtim. Do të shkoj në parlament, nëse do shkojë deri këtu çështja. Dy të parët në listën e Dibrës nuk janë votuar realisht nga elektorati, unë jam më i votuari”, saktëson Manjani.
Prej javësh, 5 deputetët e njohur si Lëvizja për Mendimin Ndryshe në deklarata të njëpasnjëshme janë shprehur se do ta thyejnë bojkotin në rast se rrezikohen që mandati i tyre të bëhet i pavlefshëm.
Ndërkohë, zëvendësimin e mundshëm të mandateve të deputetëve bojkotues socialistë, e kanë mbështetur dhe shpjeguar ligjërisht edhe specialistë të ndryshëm.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Krisaq Kume deklaron se Kuvendit i lind e drejta që sot t’i kërkojë KQZ-së, të nisë procedurat për zëvendësimin e deputetëve, të cilët nuk kanë bërë betimin pas mandatit të fituar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Duke iu referuar Kushtetutës, Kume shpjegon se afati 6-mujor i djegies së mandatit të deputetit për shkak të mosparaqitjes në Kuvend është efektiv vetëm në rastet kur ky i fundit pasi i është nënshtruar verifikimit nga komisioni i posaçëm i verifikimit të mandateve, ka bërë gjithashtu dhe betimin në parlament.
“Në qoftë se deputeti nuk bën betimin, ai efektivisht nuk është deputet dhe nëse do të respektojmë ligjin, menjëherë mund të fillojnë procedurat për zëvendësimin e tij”, shpjegon Kume.
Në një situatë kur deputetët socialistë ende s’e kanë bërë betimin në parlament, kryeparlamentarja Topalli deklaroi pak ditë më parë se do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në respekt të plotë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit për t’i dhënë zgjidhje këtij handikapi që mban jashtë dyerve të legjislativit deputetët e kryesuar nga Edi Rama.
Dhe duke ju referuar librit themeltar të shtetit në nenin 71 të tij, vetë kreu i KQZ-së Arben Ristani ka sqaruar se Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës dhe mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, e njejta procedure vazhdon deri në shterimin e listës së kandidateve të së njejtës parti politike, e më pas deri tek kandidatët e partive të koalicionit.