Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr 2 në Tiranë, Elez Gjoza, takon qytetarët

Me Lulzim Bashën do t’i japim fund infrastrukturës së shkatërruar dhe mungesës së shkollave e kopshteve
Njësia bashkiake nr 2 në kryeqytet është zona me më shumë probleme nga të gjitha njësitë e tjera të administruara nga Partia Socialiste. Por, ajo që e bën edhe më të rëndë problematikën, është infrastruktura rrugore. Në tërësi, njësia nr 2 ka një infrastrukturë thuajse të amortizuar dhe prej vitesh të tëra bashkia e kryeqytetit s’ka miratuar asnjë fond për t’i ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Mungesa e infrastrukturës, e shkollave, e kopshteve dhe e hapësirave të gjelbra, ishin objekt i takimeve të djeshme të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr 2, Elez Gjoza. Kandidati, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në takimet e zhvilluara me qytetarët ka konstatuar probleme të konsiderueshme si dhe një neglizhencë të paprecedentë të pushtetit lokal ndaj shërbimeve të qytetit dhe qytetarëve. I shoqëruar edhe nga deputetja e PD-së Lajla Pernaska, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” u ka premtuar banorëve të Saukut, më shumë rrugë të shtruara si dhe më shumë shkolla dhe kopshte. Ai ka vënë theksin se kjo njësi do të hedh votën në 8 maj, për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën. Ndërsa deputetja e PD-së Pernaska, gjatë fjalës së saj i ka ftuar banorët e Saukut që të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve dhe të votojnë kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në 8 maj. “Ne ëndërrojmë një të ardhme më të mirë për qytetin tonë. Prindërit tanë dëshirojnë ambiente çlodhëse ku të kalojnë paradite dhe mbasdite të qeta, motrat dhe vëllezërit tanë dëshirojnë më shumë hapësira në këtë qytet, fëmijët tanë ëndërrojnë shkolla dhe universitete më të mira”- u shpreh kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr 2, Elez Gjoza. Mungesa ekstreme e projekteve për zhvillimin e lagjeve të njësisë nr 2, apo më keq akoma kur vetëm pak minuta nga qendra e Tiranës (e cila në kuptimin e mirë të fjalës duhet të simbolizojë zhvillimin) sheh rrugë të paasfaltuara dhe të mbuluara nga balta, kandidati Gjoza tha se kjo situatë katastrofike meriton një ndëshkim dhe ndëshkimi duhet të vijë në 8 maj. “Nuk është kjo lagjja ku duam të jetojmë”, i tha qytetarëve kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, duke e ftuar komunitetin që në 8 maj të votojë alternativën e zhvillimit të qytetit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarit.
Luzhiana Abazaj: Ish-Kombinati Tekstil, do ndërtojmë qendrën profesionale, kurse formimi dhe vende të reja pune
Ndërtimi i një qendre profesionale në ish-Kombinatin Tekstil, kurse formimi, çka do të sjellë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Është ky projekti, i cili Luzhiana Abazaj, kandidatja e Njësisë Bashkiake numër 6 në Kombinat prezantoi dje gjatë një takimi zonën e ish-Kombinatit Tekstil me të rinj dhe banorë të Kombinatit, projekti i së cilës në dorë të Bashkisë së Tiranës është lënë në harresë. Abazaj premtoi se në këtë zonë do të hapet një qendër profesionale, e cila do të trajnojë të rinj, por dhe grupmoshat reja, të cilat nuk kanë një profesion, por që do ta përfitojnë falë saj, dhe më pas do të kenë vendin e tyre të punës. “Këtu është menduar që të bëhet një qendër profesionale, disa qendra ose të themi multi-qendra në profesione të ndryshme, të cilat janë si për mësimin e punës, në qoftë se ju mbaroni shkollat e mesme të përgjithshme atëherë këtu do të ofrohen kurse trajnimi profesional, flasim për profesion teknik, mekanik, rrobaqepësi, shumë zanate të tilla, të cilat do t’ju ndihmojnë nesër për të gjetur vendin e punës, dhe vendi i punës do të jetë po këtu. Domethënë, përveç qendrave të trajnimit nga ana profesionale, do ketë dhe vendin e punës në bazë të asaj që mbaroni”, deklaroi Abazaj. Kandidatja për Njësinë Bashkiake 6 pohoi se ky projekt është futur në programin e LSI për ndryshimin e vërtetë, i cili do jetë pjesë e integruar të programit të kryetarit të ri të bashkisë nesër. Përveç shkollave, vende të reja të punës, do jenë kurset e trajnimit, pastaj dhe vendet e reja të punës. Ndërtimi i kësaj qendre do të thotë më shumë mundësi formimi dhe punësimi për të rinjtë, ndërsa nga ky projekt do të jenë rreth 65 mijë banorë, të cilët do të përfitojnë dhe do të kenë vendin e tyre të punës.
...