Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë respektuar detyrën dhe ligjin

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu takon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka vlerësuar dje se “punonjësit e policisë kanë manifestuar një qëndrim pozitiv ndaj punës së tyre, detyrës dhe ligjit”. Në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, lidhur me masat e marra nga Policia për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj, ambasadori Arvizu tha se “në Raportet e OSBE-ODIHR-it është paraqitur roli shumë pozitiv i policisë dhe unë jam dakord me këto raporte, pasi kam konstatuar që në shumë raste policia është gjendur mes dy palëve me bindje të ndryshme politike dhe puna e kryer për zgjidhjen e këtyre situatave nga Policia e Shtetit rezulton pozitive”. Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, vuri në dukje faktin se që në fillim të muajit mars është hartuar dhe dërguar për zbatim pranë strukturave qendrore dhe vendore të policisë, programi i punës “Për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike gjatë periudhës zgjedhore në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 8 Maj 2011”, në zbatim të detyrave institucionale të përcaktuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, Kodin Zgjedhor, si dhe udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Në kuadër të këtij programi janë marrë një sërë masash tekniko-organizative, përmes të cilave janë përcaktuar detyrat e strukturave qendrore dhe vendore të policisë për procesin zgjedhor, në mënyrë që qëndrimet dhe veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit të jenë ligjore, profesionale, etike, dinjitoze dhe të paanshme. Në zbatim të tyre Drejtoritë e Policisë së Qarqeve, Komisariatet e Policisë, Njësitë Rajonale të Policisë Rrugore kanë hartuar plane masash me detyra konkrete për të gjithë shërbimet e policisë për garantimin e rendit publik, ruajtjen e sigurimin e qendrave të votimit dhe të Vendit të Numërimit të Votave, deri në përfundim të procesit zgjedhor”- theksoi Burgaj. Një proces mjaft i rëndësishëm për këtë problem ishte trajnimi i punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore, ku në përfundim të këtij procesi u trajnuan 6327 punonjës policie. Po ashtu, e një rëndësie të veçantë ishte edhe përgatitja dhe shpërndarja e materialit “Libri i Xhepit”, me detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor, ku botimi në 7000 kopje i këtij materiali u mundësua në bashkëpunim me OSBE-në. “Qëllimi i kësaj parapërgatitje ishte jo vetëm ruajtja e standardeve të arritura në zgjedhjet e 2005, 2007, 2009, por dhe t’i çojmë më tej këto standarde”- theksoi Burgaj. Aktualisht, tha Burgaj, puna e strukturave të Policisë është përqendruar në planifikimin, organizimin, dhe drejtimin e shërbimeve të policisë për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të aktiviteteve elektorale nga subjektet politike, si dhe parandalimin e goditjen e veprimtarisë kriminale në të gjithë territorin e vendit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi dhe bashkëpunimin e Programit ICITAP për monitorimin dhe, më pas, vlerësimin e veprimeve të shërbimeve të policisë që do angazhohen në procesin zgjedhor, si dhe sjelljet që ato do të demonstrojnë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si një ndihmesë me vlerë për Policinë e Shtetit. Ndërkohë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, shprehu vlerësimet e tij për planin e detajuar dhe shumë të mirë të masave të marra nga Policia e Shtetit për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor, përfshirë garantimin e një mjedisi të sigurt dhe neutral.