E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetja e të gjithë pogradecarëve/Zoti Shkëmbi ku ka përfunduar fondi i planifikuar për rikonstruksionin e shkollave?

23-04-2011 / Nga Mina Hysa

Çerdhet, kopshtet dhe shkollat në Pogradec, në gjendje mjerane

Bashkia e Pogradecit në 8 vitet e qeverisjes prej Artan Shkëmbit duket se nuk ka pasur as më të voglin predispozicion për të qenë pranë qytetarëve dhe zgjidhur nevojat e tyre. Kryebashkiaku në largim Artan Shkëmbi, duket se ka qenë më shumë i interesuar për interesat personale se sa ato të komunitetit. Fakti që në qytet duket qartë dora e pushtetit vendor në kryerjen e investimeve, është një tregues që këta banorë nuk meritojnë të drejtohen më prej zotit Shkëmbi. Ata më 8 maj do të ndëshkojnë në mënyrë demokratike arrogancën e kryebashkiakut, mospërfilljen e tij, harresën që i ka bërë interesit primar të qytetit dhe qytetarëve. Pogradeci është një qytet i kulturës pasi ka nxjerrë kollozë të letrave shqipe si Lasgushin dhe Mitrushin, e plotë të tjerë personalitete që nuk janë objekt i këtij shkrimi. Mirëpo ne nuk mund të lëmë pa theksuar faktin që në Pogradec, zoti Shkëmbi jo vetëm nuk po investon më ngritjen e çerdheve dhe shkollave, dhe aq më shumë ta kishte kthyer këtë qytet në një kampus universitar. Bashkia e Pogradecit nuk ka qenë aspak e interesuar për të investuar dhe për rikonstruksionin e atyre kopshteve dhe çerdheve dhe shkollave të cilat janë trashëguara nga e kaluara. Siç konfirmohet në qytet jo vetëm që gjatë këtyre 8 viteve investimet në qytet kanë qenë zero, por si për ironi është prishur dhe një çerdhe për t’u dhënë leje ndërtimi, për një nga eksponentët e lartë të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafën. Qyteti i Pogradecit ka 8 shkolla 3 të mesme, 1 profesionale, si dhe te tjerat 9-vjeçare. Institucionet e arsimit dhe edukimit në qytetin e Pogradecit përballen me harresën e institucionet të pushtetit vendore mbi të cilat mungojnë rikonstruksionet. Në pjesë dërrmuese të shkollave nuk është investuar por dhe sikurse në rastin e shkollës “Muharrem Çollaku” ku u vunë dyer,  nuk kanë kaluar as 2 vjet dhe falë cilësisë së dobët të punimeve ato janë shkatërruar duke u hapur.
Probleme ka dhe në shkollat Gjergj Pekmezi në të cilën pikon çatia, është e palyer prej disa vitesh dhe si për ironi për dyert e shkollës kanë kontribuar vet prindërit. Situata skandaloze paraqitet dhe në shkollën  “30-vjetori” e cila është lënë në harrëse si dhe të tjera shkolla, çerdhe dhe kopshte. Teksa i hedh një sy buxhetit të bashkisë së Pogradecit duket qartë se për vitin 2011 zëri investimeve në këto institucione ka ardhur në rënie, dhe çfarë është më kryesorja mësuesit, nxënësit dhe familjarët pyesin ku kanë përfunduar fondet e bashkisë të planifikuara në buxhet? Cili është fati i tyre? Më konkretisht për vitin 2010 ishin planifikuar 4.3 milionë lekë, dhe investime nuk ka, si dhe janë planifikuar dhe për 2011-ën, 3.5 milionë lekë dhe përsëri qytetarët, drejtuesit e shkollave shpresojnë në një ndryshim të drejtimit të bashkisë në mënyrë që ky fond të përdoret për destinacionin e duhur dhe madje të vijë edhe në rritje. Sigurisht që duke qenë dhe një qytet me klimë të ftohtë, nxënësit, mësuesit dhe fëmijët përballen me ngricat e tmerrshme të dimrit të gjatë. Të planifikuar në buxhetin e bashkisë së Pogradecit janë jo pak, por 12 milionë lekë dru zjarri, dhe 35 milionë lekë solar, karburant, sasi që sipas mësuesve dhe nxënësve del për t’u ngrohur vetëm për 1 muaj e gjysmë. A mund të na sqarojë zoti Shkëmbi nëse ky fond është i pamjaftueshëm për ngrohjen, apo nuk shkon nëpër shkolla sasia e duhur e druve dhe karburantit?

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›