Kandidati i PD-së, Fuga: Prioritetet e mia për zonën nr. 10
Legalizimet afatshkurtra, strehimi i të pastrehëve, trajtimi i problemeve që kanë risqe dhe kualifikohen tek ligji “Për emergjencat civile”, amortizimet e shtëpive me pronarë ose jo, ndikimi në mjedis, zvogëlimi i zhurmave nga aktivitete private, shtrimi i rrugëve dytësore, riparimi i pusetave dhe kanalizime të ujërave të bardha e të zeza, zgjidhja e problemit të ujit në ato zona, ku ndërhyrja jep rezultat etj. Këto janë disa nga prioritetet kryesore të kandidatit të PD-së për zonën nr. 10 në Tiranë, z. Blendi Fuga. Ai u bëri dje thirrje banorëve të kësaj njësie të marrin pjesë në zgjedhjet që zhvillohen të dielën. Me një program të qartë për zhvillimin e njësisë 10, Blendi Fuga i garanton të gjithë banorët se do të jetë zëdhënësi i halleve të tyre pa dallim bindjesh politike. Kandidati Fuga, të cilin e ndajnë 5 ditë nga dita e votimeve të pjesshme, shprehu sigurinë se programi i PD-së dhe investimi moral, qytetar dhe ligjor është një garanci për fitoren e tij. Thelbi i fushatës së tij është çuarja përpara të nismave në shërbim të komunitetit të njësisë 10. Kandidati Fuga i ka të gjitha garancitë morale, profesionale dhe qytetare që të vërë në jetë të gjitha premtimet e bëra nga mazhoranca e djathtë. Pikat, ku kandidati i PD-së mbështet fitoren, janë: mbështetja e fuqishme në integritetin moral të tij dhe të familjes, veti të njohura nga komuniteti dhe zona përreth, qëndresa, besnikëria dhe këmbëngulja për reformat demokratike në vend për të fituar drejtësia, ndershmëria dhe e vërteta, ku forca do të jetë në dorën e ligjit dhe jo antiligjit. Për të arritur këto, kandidati Fuga ka premtuar se do të jetë bashkëpunues me të gjithë qytetarët e ndershëm, pa përkatësi politike, fetare apo krahinore, për të kthyer besimin te institucioni i qeverisjes vendore dhe të zgjedhurve lokalë. Kandidati Fuga theksoi se me marrjen e drejtimit të njësisë 10 do të luftojë që t’i rikthejë njësisë së tij disa kompetenca që i takojnë, si: problemi i rikonstruksionit të shtëpive të vjetra, ku me ligjin e ri të urbanistikës kompetencat për dhënien e lejes për riparim i kanë kaluar njësisë bashkiake, por bashkia nuk ia njeh njësisë këto kompetenca. Kandidati Fuga ka premtuar para banorëve të njësisë 10 se do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit të strehimit për qytetarët e pastrehë, ku megjithëse kërkesa për strehim nis nga njësia bashkiake, Bashkia e Tiranës nuk kthen përgjigje se deri ku ka proceduar me këto kërkesa për trajtimin e të pastrehëve. Kandidati i PD-së, Blendi Fuga, zotohet të mbajë premtimet e dhëna për banorët e njësisë 10. Prioritetet e tij për komunitetin janë bërë publike për banorët, në mënyrë që ata të bëjnë një bilanc për punën e tij në drejtimin e njësisë 10.