E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon Rasmussen: Shqipëria, kontribut për paqen



Çështje që rrjedhin nga anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancë ishin dje temë e diskutimit në Bruksel mes ministrit tonë të Jashtëm, Ilir Meta, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Zyrtari i lartë i NATO-s vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Afganistan dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës dhe politikën e saj konstruktive në rajon. Në selinë e NATO-s u trajtuan çështje që lidhen me angazhimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, si dhe u diskutua për politikat e Aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Meta, e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen për angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Operacionit të ISAF, duke vazhduar kontributin e Shqipërisë në Afganistan, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë, bashkëveprimit dhe kontributit civil për rindërtim. Z. Meta rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë si vend anëtar i NATO-s dhe nënvizoi rolin konstruktiv të politikës së saj në rajon. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen, shprehu vlerësimin e tij për kontributin konstruktiv të Shqipërisë në të gjitha nivelet e strukturave të Aleancës, veçanërisht në drejtim të garantimit të sigurisë në Afganistan. Z. Rasmussen vlerësoi gjithashtu edhe politikën rajonale të Shqipërisë, duke theksuar se qëndrimi i qeverisë shqiptare për çështjen e Kosovës ka qenë një kontribut i madh për garantimin e paqes dhe stabilitetit.

Meta, referencë për “Perspektivën Evropiane të Ballkanit”

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë dje në Konferencën e Nivelit të Lartë për Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert”, në Bruksel. Z. Meta ishte folës kryesor në panelin e dytë të kësaj konference, ku u diskutua për vazhdimin e ecurisë së reformave në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe shumë personalitete nga rajoni dhe Komisioni Evropian, si: ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, zv.kryeministri i Serbisë, zv.kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, drejtori për Ballkanin pranë Komisionit Evropian etj. Në fjalën e tij, zv.kryeministri Meta paraqiti një panoramë të zhvillimeve në kuadër të integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave, duke vënë theksin në përpjekjet e qeverisë për të përmbushur në kohë dhe me cilësi të gjitha detyrimet që rrjedhin nga këto procese. Z. Meta nënvizoi gjithashtu se për vendet e Ballkanit Perëndimor dy dekadat e fundit dëshmojnë fuqinë transformuese që ka pasur perspektiva e anëtarësimit në BE për vendet e këtij rajoni. Pasi vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit kanë përparuar dukshëm në procesin e afrimit me BE-në, z. Meta theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për thellimin e mëtejshëm të reformave dhe forcimin e bashkëpunimit në kuadër të proceseve integruese rajonale. “Integrimi në BE është një proces reciprokisht sfidues. Sfida jonë është të tejkalojmë vetveten në të gjitha kuptimet, si me reformat e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet rajonale”, - u shpreh z. Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›