Dade: Në Bruksel nuk na kuptojnë
PS u vë fajin ndërkombëtarëve dhe sidomos zyrtarëve evropianë, të cilët sipas kësaj partie, nuk kuptojnë qëndrimin politik të saj. Ndërkohë që shumë zyrtarë evropianë i kanë bërë thirrje PS-së të hyjë në Kuvend, socialistët qahen se nuk kuptohen ashtu si duhet nga të huajt. Madje, eksponentë të kësaj partie në tribunat jashtë vendit thonë se nuk u lejohet investigimi i zgjedhjeve edhe pse mazhoranca ka shprehur gatishmëri për komisionin hetimor. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade, ishte dje në Bruksel, ku mori pjesë në konferencën “Për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor”. Duke folur para shumë përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, Dade ka justifikuar bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së, duke thënë se në “Bruksel nuk na kuptojnë”. Kësisoj, ajo ka justifikuar mungesën e besimit që organizmat ndërkombëtarë kanë shfaqur për rolin e opozitës pas zgjedhjeve, duke u bërë disa herë kërkesa për të ndërprerë bojkotin, i cili po u kushton shtrenjtë reformave që duheshin ndërmarrë nga Parlamenti. “Ne kemi marrë vendimin për ta kushtëzuar hyrjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë me hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave në të gjitha ato pjesë të vendit ku ka kontestime dhe prova për dhunë, parregullsi dhe manipulime”, - tha ajo. Më tej, ajo hodhi akuza të forta politike ndaj një pjese të ministrave të kabinetit “Berisha”. Gjithashtu, ajo ka thënë se ka mungesë stabiliteti demokratik në administratë dhe në procesin e integrimit, por nuk ka ofruar bashkëpunim nga ana e opozitës për këtë proces të rëndësishëm që i prek gjithë shqiptarët.