E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqartësi në titujt e pronësisë, Ruli: Po pengohet tregu i tokës



Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, deklaroi dje se paqartësia në titujt e pronësisë së tokës bujqësore po ndikon në tregun e tokës si dhe për zhvillimin e bujqësisë. Ai tha se ne ende nuk kemi tregun e tokës bujqësore dhe shtoi se krijimi i këtij tregu me titujt të qartë pronësie duhet të jetë prioriteti numër një i kësaj qeverie. ”Ky mentalitet është një nga faktorët që pengon krijimin e tregut të tokës. Ne ende nuk kemi tregun e tokës bujqësore. Këtu ka ndikuar edhe paqartësia në titujt e pronave. Për tokën bujqësore ky është një ndër problemet që duhet zgjidhur më parë. Problemi i koncentrimit të tokës pastaj në ferma më të mëdha vjen automatikisht pas saj”, - deklaroi Ruli. Ministri tha më tej se ka edhe një mungesë të interesit ndaj tokës bujqësore. Shumë toka janë braktisur, ndërsa pagesa e taksës së tokës apo rentës është në shifra minimale. Sipas tij, është e papranueshme që toka bujqësore të lihet djerrë, pasi asnjë vend në botë nuk e ka këtë luks. “Asnjë vend i botës, që nga Mesjeta e deri më sot, nuk ka lejuar mospërdorimin dhe mosshfrytëzimin e tokës bujqësore. Tek ne, ky institucion shekullor i detyrimit për ta përdorur tokën dhe tokën më të keqe për ta futur në treg në këto vite tranzicioni ka humbur. Kemi me mijëra hektarë tokë të braktisur dhe me ligjin që po përgatisim, mundohet të imponohet dhe është e detyrueshme të imponohet ky element që toka nuk mund të braktiset”, - shtoi ministri Ruli. Ai tha më tej se kjo gjendje duhet të marrë fund. Aktualisht, Komisioni Shtetëror i Tokës ka nisur nga detyra dhe po heton titujt e pronësisë dhënë me ligjin 7501. Deri tani janë zbuluar rreth 300 mijë metra katrorë tokë të dhënë në mënyrë abuzive. Toka, e cila vërtetohet se është marrë me pa të drejtë, do të kthehet në shtet dhe më pas mund të përdoret si fond kompensimi për ish-pronarët. Verifikimi ka nisur në të gjithë vendin, por fillimisht është përqendruar në zonat bregdetare dhe në zonën Tiranë-Durrës, ku mendohet se edhe abuzimet janë të një niveli të lartë. Deri më sot, mbi 400 mijë tituj pronësie janë dhënë në bazë të ligjit 7501 nga komisionet e tokës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›