Rama, miting në Korçë, e braktis kryebashkiaku
Kreu i PS-së, Edi Rama, dhe aleatët e tij të koalicionit të majtë kanë zbritur dje në Korçë, në vendlindjen e kundërshtarit të tij më të fortë brenda llojit, Ben Blushi. Ai nuk është mirëpritur nga Blushi, i cili ka rastisur në një udhëtim jashtë vendit, sipas burimeve pranë tij, ndërkohë që nuk është mirëpritur as nga i zoti i shtëpisë, kryebashkiaku Niko Peleshi. Kreu i Bashkisë së Korçës, që i përket PS-së, ka nxjerrë gjithashtu justifikim një udhëtim jashtë, por e vërteta është se dhe ai i përket grupimit që mendon ndryshe nga Rama dhe që kërkon të ndalet bojkoti i Kuvendit nga ana e PS-së. Mitingu ka qenë i vakët si dhe mitingjet e tjera në rrethe. Ndërkaq, Blushi e disa deputetë të tjerë janë kundër linjës që po ndjek PS pas zgjedhjeve. Ata kërkojnë të mbahet përgjegjësi për humbjen e tyre dhe opozita të bëhet në Kuvend.
Mitingu
Megjithëse një test aspak pozitiv për atë që duan të arrijnë opozitarët më 20 nëntor në Tiranë me një miting numerik, Rama i vijon takimet në rrethe në kërkim të mbështetjes. Në fjalimin e djeshëm ai ka radikalizuar gjuhën, duke lënë mënjanë kërkesën për hapjen e kutive të votimit dhe duke kërkuar rrëzimin e qeverisë. “Sali Berisha kërkon të fusë duart duke fshehur gjurmët, që nesër kur t’i vijë laku në fyt, të thotë hapni kutitë dhe mashtrimin e madh ta mbulojë me një edhe më të madh. Po ne i themi edhe këtej nga Korça: Në e paç bërë mëkatin e radhës për të fshehur gjurmët e vjedhjes së madhe të 28 qershorit, ne nuk do kërkojmë më transparencën e zgjedhjeve të shkuara, por rrëzimin tënd përpara zgjedhjeve që vijnë”, - tha ai dje në Korçë. Më tej, ai ka përmendur fjalën forcë disa herë, duke thënë se do të protestojnë me forcë ndaj qeverisjes së re. “Protestojmë me forcë, sepse pronat publike dhe private të shqiptarëve nuk janë më të sigurta, ato janë nën kërcënimin e oreksit të vazhdueshëm të familjes që qeveris Shqipërinë. Protestojmë më forcë, sepse Shqipërinë evropiane nuk mund ta bëjnë grabitësit e zgjedhjeve, nuk mund të bëjnë grabitësit e pronave, nuk mund ta bëjnë grabitësit e arkës së shtetit”, - tha më tej Rama. Kurse aleati i tij besnik, kreu i G99-s, Erion Veliaj, ka lënë të kuptojë se ata mund të përdorin dhe gjuhën e dhunës në mitingjet e tyre. “Shumë njerëz na thonë: “Pse nuk rrëzoni institucionet? Pse nuk rriheni me policinë?” Por ne përfaqësojmë një kulturë tjetër. Ne besojmë te punët e ndershme, jo te punët e pista si Berisha e Meta. Kjo është kultura jonë dhe jemi krenarë për kulturën tonë. Në datën 20 nëntor kemi një test, ata që ndërtuan Murin e Berlinit në Shqipëri, janë kryeministra. Data për rrëzimin e murit në Shqipëri është data 20 nëntor. Ne kërkojmë të hapen kutitë, duam transparencë”, - tha ai. Në këtë miting gjithashtu ka folur ish-deputeti demokrat, Spartak Ngjela, dhe ish-eksponenti i LSI-së, Ndre Legisi.