E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një OKB”, Holanda, fonde shtesë për Shqipërinë



Qeveria e Holandës do t’i sigurojë mbështetje të mëtejshme Shqipërisë, duke kontribuar mbi gjysmë milioni dollarë në programin “Një OKB”. Ky është kontributi i dytë i qeverisë holandeze për reformën e Kombeve të Bashkuara. Kontributi i mëparshëm kapte shifrën e mbi 900 mijë eurove dhe shkoi në mbështetje të programit të përbashkët të OKB-së për barazinë gjinore. Dje u nënshkrua një marrëveshje midis ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Henk G. C. van den Dool dhe Koordinatores së Përhershme të Kombeve të Bashkuara, Gülden Türköz-Cosslett. Fondet holandeze do të kalojnë në Fondin e Koherencës së Kombeve të Bashkuara me një fokus në çështjet e mjedisit. “Duke pranuar karakterin pilot të programit “Një OKB”, ambasadori i Holandës, Henk G.C. van den Dool, tha: “Holanda i jep rëndësi të veçantë reformës së OKB-së të cilën ne po e mbështesim në një nivel operacional për të përmirësuar efikasitetin e ndihmës dhe eficencën. Shqipëria u përzgjodh së bashku me shtatë vende të tjera për të testuar një program mbarëbotëror të reformës së OKB-së. Programi “Një OKB” në Shqipëri u nënshkrua më 24 tetor 2007 dhe fokusohet në pika kyçe referimi, si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit për integrim në BE; Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Zhvillim dhe Integrim; programe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë dhe parimet e Deklaratës së Parisit për efikasitetin e ndihmës dhe harmonizimin e përpjekjeve të zhvillimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›