E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristina Kirshner, shuarja e një ylli

Mbretëreshën Kristina ose padronen Kristina, siç e quajnë shumica, askush më parë nuk e kishte parë në atë gjendje, si në diskutimin publik që bëri në një shkollë në Salta, një nga provincat më të varfra të Argjentinës. Nga zëri, që zakonisht është i prerë dhe i qartë, dukej sikur lotët janë gati t‘i rrjedhin faqeve, ndërsa u thoshte të pranishmëve: "Ju kërkoj falje për vuajtjet që jeni të detyruar të kaloni në këto kohë krizash të vështira". Pastaj, vijoi sërish për të theksuar atë që ka qenë një nga pikat kyçe të programit të saj qeverisës: "Ju konfirmoj se jam e vendosur të forcoj politikën e rishpërndarjes së pasurisë". Të pranishmit, nuk mund të bënin gjë tjetër veçse të shihnin veshjet dhe aksesorët e saj të të gjitha koleksioneve më të mëdha e më të shtrenjta të modës: "Hermes", "Louis Vuitton", "Dolce & Gabbana". Por, nga ana tjetër, pasioni i Presidentes për luksin është i njohur nga të gjithë, të varfër apo të pasur, argjentinas apo jo. Megjithatë, shpenzimet e saj të shfrenuara mes Nju Jorkut dhe Parisit në këto kohë kur vendi po kalon një nga krizat më të mëdha të dekadave të fundit dhe shprehja e saj e vazhdueshme për qëndrimin në anën e të varfërve, bien paksa në kundërshtim me ato që bën. Është njëlloj sikur është në fushatë elektorale, Kristina Elizabeth Fernandez Kirshner, 56 vjeçe, Presidentja e Argjentinës, gruaja më e pushtetshme e Amerikës Latine. Por, nëse në zgjedhjet legjislative të 28 qershorit nuk vihet në rrezik karrigia e saj, me siguri që rezultati do të jetë një pikë kyçe për të ardhmen e saj në politikë, pas fundit të mandatit në vitin 2011. Në më pak se dy vjet që kur gjendet në krye të detyrës më të lartë të shtetit, popullariteti i saj i lartë që dikur i kalonte 70 për qind, ka zbritur në më pak se 20. Brenda Partisë Peroniste, lidershipi i saj dhe bashkëshortit, Nestor, po kundërshtohet gjithmonë e më tepër, madje në skenë po qarkullon edhe emri i një sfidanti të ri me një të kaluar të ndritur në sportin e automobilizmit. Bëhet fjalë për ish-kampionin e Formula 1, Karlos Reutermann. Fakti që popullariteti i saj ka rënë kaq shumë brenda një kohe kaq të shkurtër, shpjegohet me premtimet e shumta të dhëna dikur dhe realitetin e një vendi që akoma nuk ka kaluar tronditjen e vitit 2001 dhe frikës se mund të bjerë sërish në një gjendje depresioni. Sapo u zgjodh Presidente, Kristina zëvendësoi njerëzit që ndodheshin në krye të Institutit Kombëtar të Statistikave me persona të besuar që i japin, sipas akuzave të kundërshtarëve, shifra krejt ndryshe nga ajo ku gjendet vërtet ekonomia në vend. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar aspak institucionet e pavarura ndërkombëtare të tregojnë situatën ashtu siç është në të vërtetë, shumë larg asaj që të besuarit e saj thonë. Inflacioni në vend shkon nga 15 deri në 20 për qind ndryshe nga shifra zyrtare, 7.2 për qind. GDP në 2009 mund të bjerë me tre për qind, ndërsa autoritetet e Buenos Airesit thonë vazhdimisht për rritje, një shifër kjo, sigurisht më e ulët se 6 për qindëshi i vitit të kaluar. Është kritikuar shumë bilanci i shtetit dhe frika e një rrënimi ekonomik ka vënë në alarm analistët ndërkombëtarë. Frikës së lidhur me "portofolin" e më pak të pasurve, i shtohet edhe ajo e një shtrese të mesme që po lodhet gjithmonë e më shumë të kapërcejë zgjedhjet populiste të Presidentes, si në rastin e rritjes së taksave mbi eksportin e produkteve ushqimore për të financuar programe sociale. Në fund, kundër "Mbretëreshës Kristinë" është edhe fakti i rritjes marramendëse të kriminalitetit në qytetet e mëdha, larg premtimeve të saj dy vjet më parë për më shumë siguri. Gjendja është aq kritike sa ka vendosur të dalë sërish në skenë bashkëshorti Nestor, që kryeson listën për dhomën e deputetëve. Kur u tërhoq për t‘ia lënë vendin të shoqes, Nestor kishte premtuar se tashmë dëshironte ta ndiqte politikën nga lokali apo nga ndonjë kafene letrare e kryeqytetit. Slogani i tij "Ose ne, ose kaosin", shton dyshimin e atyre që mendojnë për një marrëveshje mes çiftit Kirshner për të qëndruar në pushtet nga dy mandate secili. Një periudhë e gjatë, 16-vjeçare që evokon mbretërimin e gjatë të Juan Peronit. Është akoma herët për të thënë nëse kirshnerizmi ka përfunduar, por të paktën në politikë javë vërejtur lëkundje të mëdha. Sigurisht që rreziku i parë i dështimit pritet të jetë 28 qershori. Solidariteti i çiftit zgjat tashmë prej disa vitesh, madje ka edhe një datë të saktë fillimi: 21 shtatori i vitit 1974. Në atë kohë, Kristina, brune, e dobët dhe me linja të përkryera vendosi të ndahet nga i fejuari, sepse pëlqente një tjetër shok studimesh në Universitetin e Ligjeve që quhet Nestor. Më pas u takuan në parkun "Pereya Iraola", ku ajo pinte cigare e nervozuar, ndërsa ai ishte disa minuta me vonesë. Nestor e mban mend shumë mirë që në atë takim të rëndësishëm ishte paraqitur tërësisht i dehur dhe nuk mbante mend asgjë se çfarë kishte thënë. Por, pavarësisht kësaj, Kristina kishte mbetur e magjepsur. Që nga ajo kohë nuk u ndanë më. Të dy u bënë pjesë e Lëvizjes Studentore të Majtë Peroniste. U martuan në bashki më 9 maj të vitit 1975, dy muaj para vdekjes së Juan Peron. Vetëm pak kohë më vonë nisën aksionet në aleancën antikomuniste argjentinase. Shumë prej miqve të tyre u vranë. Ishte koha e diktaturës. Për të mbrojtur veten dhe fëmijën që do të sillnin në jetë, Maximo, që sot është 32 vjeç (më vonë lindi edhe Florencia që është 18 vjeç), vendosën të lënë kryeqytetin dhe të transferon në Patagonia, larg nga vendet e nxehta të represionit. Të dy nisën punën si avokatë. Pas përfundimit të diktaturës, është koha për t‘iu rikthyer pasionit të vjetër, politikës. Të dy ndoqën një karrierë paralele: nga qeveria lokale në provincën e Santa Kruzit në Parlamentin kombëtar, deri te Presidenca, Nestori në vitin 2003 dhe Kristina në vitin 2007. Karriera e tyre politike përkon edhe me pasurinë personale. Sipas të dhënave të fundit për të ardhurat, çifti Kirshner numëron 41 prona: 19 shtëpi, 14 apartamente, gjashtë terrene dhe dy lokale. Në vitin 2003 Nestor kishte një pasuri prej 7 milionë pesos që në fund të mandatit shkoi në 1. Së bashku me djalin, çifti ka krijuar një shoqëri "Los sauces a el calafate" në Patagoni. Shoqëria administron hotelin me pesë yje "Los Sauces", ku një dhomë kushton nga 400 në 1150 dollarë nata dhe dy hotele të tjera "Altos Calafate" dhe "Spa imago". Aty kanë edhe një shtëpi ku kalojnë fundjavat. Dy procese gjyqësore për pasuri të paligjshme janë hapur tashmë nga drejtësia. Rruga e Kristinës në politikë deri pak kohë më parë ka qenë e ndritur, me përjashtim të disa problemeve të lidhura me imazhin. Bashkë me popullaritetin e lartë në momentin e marrjes së Presidencës, Kristinës iu desh të ndeshej me kritikat e shumta në lidhje me dëshirën e saj të shfrenuar për luksin. Që në kohën kur ishte Zonjë e Parë akuzohej se kishte harxhuar plot 8 milionë pesos në një udhëtim 25-ditor jashtë vendit ku përfshihej: Franca, Spanja, Gjermania, Austria, SHBA, Meksika, Venezuela dhe Ekuadori. Vetëm në Uashington për tri ditë la bakshish plot 8700 dollarë. Edhe udhëtimi ka qenë gjithmonë një nga pasionet e saj. Kristina udhëton thuajse 20 ditë dhe merr me vete një personel prej jo më pak se 12 personash duke zgjedhur personalisht hotelet më të shtrenjta. Mania e saj për veshjet gjithmonë ka tërhequr interesin e medias. Në rezidencën presidenciale në Olivos, në periferi të Buenos Airesit, veshjet e saj zënë një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë. Është llogaritur se ajo shpenzon nga 250 deri në 400 mijë euro në vit nëpër butikë për të blerë veshje, sigurisht të gjitha firmato. Në kokë ka më shumë se 150 ekstejshën, 40 centimetra të gjatë që i ndryshon çdo tre muaj, përveç "Louis vuitton" dhe "Hermes", ndër firmat e saj të preferuara janë edhe "Escada" dhe "Jessica Trosman". Ajo ndryshon veshje për çdo ngjarje publike, edhe pesë herë në ditë. Gjithmonë në majë të takave të larta, kostumeve të shtrenjta dhe aksesorëve marramendës aq sa në takimin e G20 nëntorin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, Xhorxh Bush tha: "Kristina është me vonesë, sepse me siguri do të jetë duke u trukuar". "Sa herë që del, unazat vëthët, varëset dhe ora kushtojnë më shumë se 50 mijë dollarë", tregojnë kundërshtarët, ndërsa ajo kundërpërgjigjet: "Më kritikojnë për flokët dhe veshjet, por nuk shohin atë që po bëj për vendin. Për me tepër qarkullojnë edhe zëra mbi një tjetër ves të sajin. Thuhet se vjen në "Casa Rosada" në orën 11 dhe largohet prej aty në 15 me helikopter shtetëror. Pas pushimit rikthehet në zyrë në orën 17 dhe largohet prej aty në 20. Fundjavat i kalon në "El Calafate". Pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalon me protagonistët e botës së spektaklit si Antonio Banderas, Melani Grifith, Naomi Kempbëll apo këngëtarin katalanas, Manoel Serrat. I biri, Maximos, përveçse kujdeset për bizneset familjare është edhe përgjegjës i "La campora", grupit të të rinjve universitarë peronistë, por ka një profil të ulët publik në krahasim me të motrën, Florencia, që mbush faqet e para të gazetave rozë. Për ditëlindjen e saj të 18-të mami dhe babi i dhuruan një "Mini Cooper që kushtonte 40 mijë dollarë. Akuza më e rëndë është ajo që thotë se Kristina është një Presidente virtuale, ndërsa vendimet i merr akoma bashkëshorti. Një pjesë të mirë të këshilltarëve e ka trashëguar prej tij. Por kush e njeh mirë betohet për pavarësinë dhe forcën e saj të karakterit. Nëse do të jetë në gjendje Kristina të risë sërish popullaritetin, vetëm koha do ta tregojë. Rëndësi shumë të madhe do të kenë vendimet ekonomike. Sepse argjentinasit janë të gatshëm t‘i falin luksin nëse ata që janë në pushtet mund t‘u garantojnë atyre mirëqenien që kishin njohur vitet e fundit. Pritet që nga ekonomia të vijë edhe përgjigjja mbi jetëgjatësinë e dinastisë Kirshner.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›