Kandidati për president të mbledhë 15 mijë nënshkrime
Demokracia në Veprim në bashkëpunim me Komisionin për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të premten mbajti debatin e gjashtë me radhë në qytetin e Pejës.
Gjatë këtij debati anëtarët e këtij komisioni, Arsim Bajrami, Afrim Kasolli, Ardian Gjini, Vjosa Osmani dhe Arben Gashi, ftuan qytetarët që të japin sugjerimet dhe opinionet e tyre lidhur me amendamentimin e Kushtetutës, në pjesën që ndërlidhet me postin e presidentit.
Qytetarët kanë propozuar që presidenti të mos jetë nën moshën 40-vjeç, të jetë shtetas i Kosovës, të jetë i martuar dhe të jetë prind. Ata, po ashtu, kërkuan që presidenti i ardhshëm të ketë të kaluar të pastër politike dhe kjo të jetë e përcaktuar edhe me Kushtetutë si akti më i lartë juridik i vendit.
Në alternativën, për numrin e nënshkrime që duhet t’i mbledhë një kandidat, shumica u pajtuan që kandidati për president të mbledhë 15 mijë nënshkrime, mirëpo kërkuan që të trajtohet me kujdes çështja e verifikimit të nënshkrimeve.
Propozimet për vendin se ku do të mbahet betimi i presidentit, qytetarët propozuan që presidenti i ardhshëm të betohet para Gjykatës Supreme apo të mbetet si në të kaluarën, ai ose ajo të betohet në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Komisionit parlamentar, Arsim Bajrami, ka theksuar se miratimi i amandamenteve në pjesën që ndërlidhet me zgjedhjen e presidentit, do të vendoste një sistem gjysmë presidencial në vend, që sipas tij është një zgjedhje më e mirë pasi që do të vendoste një baraspeshë në mes të interesave partiake dhe shtetërore.
“Qytetarët e Pejës kërkuan që Kosova të ketë një president të fortë dhe një zëvendës president tek i cili shohin sigurinë kombëtare dhe të pamundësojë spekulimet dhe prapaskenat e subjekteve politike. Ata dëshmuan se duan një president me vlera të njohura paraprakisht”, ka thënë Bajrami.
Ndërsa anëtarja e këtij Komisioni Vjosa Osmanaj tha se debatet me qytetarë ndihmojnë në përcaktimin e shumë elementeve dhe detajeve që janë të rëndësishme të futen në ligjin për presidentin e Kosovës.