Marrëdhënie speciale
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague ka rezervuar 45 minuta për Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një kohë kur krejt bota i ktheu sytë kah tashmë i mposhturi, ish-diktatori i Libisë, Muamer Gadaffi.
Ky është takimi i dytë brenda tre muajsh që Hague zhvillon me Hoxhajn.
Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, thuhet se Kryediplomati britanik ka thënë se Britania e Madhe do të rrisë presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e strukturave paralele
“Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Ministri Hague rritjen e presionit ndaj Serbisë, për shpërbërjen e strukturave paralele, ilegale në Veri të Kosovës, duke përfshirë edhe shpërbërjen e strukturave të sigurisë dhe formacionet paramilitare”, thuhet në komunikatën e MPJ’së.
“Pa shpërbërjen e këtyre strukturave, nuk mund të ketë integrim të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.
Nga ana tjetër, Ministri Hague ka shprehur mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe për Kosovën në të gjitha aspektet.
“Britania e Madhe do të rrisë presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e strukturave paralele, si të vetmin parakusht për të marrë kandidaturën për në Bashkimin Europian”, ka thënë Hague, gjatë takimit.
Një mbështetje të madhe Hague ka dhënë edhe për integritetin territorial të Kosovës.
“Ministri i Jashtëm britanik po ashtu ka thënë se Britania e Madhe mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe se është shumë e interesuar që të ndodh integrimi i plotë i komunave të pjesës veriore në institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun Hague për mbështetjen që po i jep Kosovës, veçanërisht në aspektin e lobimit për njohjen e Kosovës.
“Mbështetja e Britanisë së Madhe në përmbylljen e procesit të njohjes është vendimtare, meqë Britania ka fuqi të madhe politike, ekonomike dhe gëzon lidhje të fuqishme historike dhe kulturore me shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Dy ministrat kanë biseduar edhe për proceset në vijim, në mënyrë që në të ardhmen vendet e Amerikës Latine, të Afrikës, vendet islame, të Azisë dhe të Paqësorit të mund ta njohin Republikën e Kosovës.
Në këtë drejtim, ministrat Hague dhe Hoxhaj janë marrë vesh që të ketë një bashkëpunim të plotë në mes të dy ministrive të të dyja vendeve.
“Ministri Hague ka siguruar Hoxhajn se Britania e Madhe do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në procesin e rritjes së numrit të njohjeve, duke shtrirë ndikimin edhe te pesë vendet e BE’së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPJ’së.
Lidhur me proceset integruese europiane të Kosovës, Ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Britanisë, që Republika e Kosovës të këtë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Europian, dhe që pesë vendet që s’e kanë njohur ende Kosovën, të mos e bllokojnë dhe vonojnë perspektivën e Kosovës europiane.
Ministri Hague dhe Ministri Hoxhaj kanë biseduar edhe për investimet e mundshme britanike në Kosovë, në sektorët perspektivë ekonomikë.
“Në takim u bë e ditur se gjatë vitit të ardhshëm mund të pritet finalizimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve bazike për bashkëpunim ekonomik, siç janë marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për largimin e taksave të dyfishta, marrëveshjet në fushën e sigurisë si dhe marrëveshja për riatdhesim”, thuhet në komunikatë.
Ministri Hoxhaj e ka ftuar Ministrin Hague që gjatë vitit të ardhshëm ta vizitojë Republikën e Kosovës, në shenjë të miqësisë së fuqishme në mes të dy shteteve.