Kandidatura për president, Berisha refuzon Nanon

Takimi Nano-Berisha
Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ka pritur në kryeministri, kandidatin e vetëshpallur për president, Fatos Nanon. Në përfundim të takimit, ish-kryeministri Nanon pritej të jepte një prononcim për mediet. Por, kjo nuk ndodhi edhe pse një ditë më parë, Nano u shpreh se takimi me kreun e maxhorancës ka një rëndësi të dorës së parë. Por mesa duket gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ai priste.
Kryeministria ka publikuar në faqen e saj, njoftimin mbi takimin. Në njoftim thuhet qartë se Berisha vlerëson historikun e marrëveshjeve mes tyre por për president nuk mund të mbështesë një kandidaturë jashtë spektrit të tij politik.
Kryeministri Berisha e garantoi zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave, thuhet në njoftimin për shtyp.
Nga ana tjetër Kryeministri theksoi se, qëndrimi i bërë tashme publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës, theksohet njoftim.
Berisha në këtë mënyrë tregon se nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e presidentit pasi edhe njoftimi për shtyp mbyllet kështu: mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për ti dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës.
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu pas takimit me kreun e opozitës u shpreh se presidenti duhet të zgjidhet që në raundin e parë, ku nevojiten 84 vota.
Procedurat parlamentare për zgjedhjen e presidentit pritet të fillojnë para datës 24 maj. Krahas turit të takimeve të Nanos edhe kreu i opozitës, Edi Rama, po mban takime me krerët e partive parlamentare dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë. /G.N – F.S/
(vijon)