E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama riktheu standardet e errëta të komunizmit



Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rrugës Tale – Lezhë dhe në ceremoninë e mbajtur me këtë rast kreu i qeverisë nuk harroi të përsëriste akuzat e tij mbi mbledhjen e Asamblesë së PS-së. “Sa për pjesën tjetër, ajo që mund të them për ta, është: ‘shih e shkruaj’. Ajo që ndodhi me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë që të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informative dhe, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t’u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte.. Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij”, - tha Berisha. Kryeministri e cilësoi Asamblenë si një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij dhe ka frikë nga rrezja e dritës. “Pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenium i Komitetit Qendror, zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin. Më lejoni këtu, që, në emrin tuaj, t’i deklaroj z. Rama se ne respektojmë plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit. Por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne nuk merremi me faktin se kush vjen e kush rri në krye të partisë, nuk merremi me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre”, tha Berisha. Më tej kryeministri deklaroi se çështjet e brendshme të PS-së, nuk janë pjesë e prioriteteve të tij, duke deklaruar se ai do të merrej vetëm me ndërtimin e Shqipërisë. “Ne le të vazhdojmë punën, jo me fjalë, por me vepra. Kam shumë kënaqësi që ne vazhdojmë këtë verë me dhjetëra e dhjetëra inaugurime. Së shpejti, inaugurojmë unazën e qytetit të Laçit, do të inaugurojmë edhe fillimin e punimeve për stadiumin atje, do të inaugurojmë rrugën e Patokut, do të inaugurojmë rrugën e Arbrit, në dy lote që zbresin deri në Klos. Vitin që vjen, krahas kësaj rruge të madhe, do të bëjmë çmos që të shpejtohen punimet për rrugën tjetër. Duhet që shqiptarët, kudo që janë, të ndjejnë se kanë edhe bregdet, të ndjejnë se ata mund të pushojnë në vendin e tyre, mund të pushojnë në Shqipëri. Duhet që Shqipëria të marrë peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë pozicioni gjeografik, portet e saj duhet të jenë portet më të rëndësishme të rajonit. Ndaj do ta bëjmë e shpejtësi të madhe edhe atë rrugë dhe ajo do të sjellë turistë, do të sjellë mallra shumë më tepër. Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të ujit të pijshëm 24 orë, për ju dhe për mbarë shqiptarët. Do të jenë gjithashtu vitet e ndërtimit të një sistemi modern ujitjeje, ndër më bashkëkohorët, në mënyrë që fermat tuaja të krahasohen, të jenë në garë dhe të qëndrojnë denjësisht krahas fermave më të zhvilluara evropiane”, deklaroi dje Berisha.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›