Kandidimi për PS-në në zgjedhje, Hysi jep dorëheqjen nga drejtimi i KSHH-së
Emri surprizë i listës së kandidatëve të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Vasilika Hysi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e saj e mëparshme për shkak të këtij kandidimi. Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi, është larguar nga ky institucion duke dhënë dje zyrtarisht dorëheqjen. Kërkesa e Hysit ka ardhur pas kandidimit për deputete në sesionin e ardhshëm parlamentar nën siglën e Partisë Socialiste. KSHH-ja vendosi ngarkimin në këtë post të Aurela Anastasit, eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Hysi është një nga prurjet e reja të Partisë Socialiste nga shoqëria civile. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp, shprehu kënaqësinë që Vasilika Hysi do të jetë kryesuesja e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës. “Dua të theksoj se unë jam shumë krenar, që sot PS-ja prezanton në listën e saj më të madhe, që është lista e kryeqytetit, si numrin 1, një zonjë që është përfaqësuese e shoqërisë civile. Por unë do ta përkufizoja vetëm kaq, është përfaqësuese e qytetarisë së re shqiptare, një qytetarie aktive, e cila duhet të ketë dhe falë këtij angazhimi tonë dhe të saj do të ketë gjithmonë e më shumë pjesë në këtë politikë të re, që sot është politika jonë e re, por që me siguri nesër do të jetë politika e re edhe e të tjerëve”, - ka thënë Rama.
21 Maj 2009