E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e PD-së, mbizotërojnë juristët, ekonomistët dhe arsimtarët

Berisha përfshin në listë 2 aktorë dhe 2 futbollistë. Inxhinierët zënë gati 10% të listës së kandidatëve

Eljona Ballhysa
Ekonomistët dhe juristët zënë gati 50% të profesioneve që kanë kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike. Duket se legjislatura e kaluar la shumë për të dëshiruar përsa i përket rolit të deputetëve juristë të PD-së. Për këtë arsye lidershipi i PD-së ka vendosur që në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit të përfshijë jo pak, por 20 kandidatë me profesionin e juristit. Duke pasur parasysh rolin e deputetit në Kuvend, që ka të bëjë me shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve, profesioni i juristit merr një rëndësi të madhe. Por, nuk mbeten pas dhe ekonomistët. Kryetari i Partisë Demokratike ka përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë 17 ekonomistë. Kriza ekonomike, e cila ka përfshirë botën, duket se po ndihet dhe në Shqipëri. Për këtë arsye, kryetari i PD-së ka vendosur të zgjerojë Grupin e ardhshëm Parlamentar të PD-së me deputetë ekonomistë, pasi gjatë legjislaturës së kaluar ka pasur mangësi në mbrojtjen e një sërë projektligjesh me natyrë ekonomike në debatet që janë zhvilluar në Kuvend.
Dominimi
Por, një pjesë të rëndësishme të listës së kandidatëve për deputetë të PD-së, përveç juristëve dhe ekonomistëve, e zënë edhe arsimtarët. Berisha ka përfshirë në listë jo pak, por 17 kandidatë me profesion mësues të thjeshtë, pedagogë, apo doktorë shkencash. Ai vetë është shprehur se arsimi do të jetë prioritet i mandatit të dytë qeverisës të PD-së. Por, përfshirja e arsimtarëve duket se ka tjetër qëllim. Arsimtarët njihen si njerëz të respektuar në qarqet intelektuale dhe me njohje të gjerë dhe mbështetje nga publiku. Për shkak të figurës së tyre të respektuar ata kanë më shumë shanse që të fitojnë më tepër vota në zonat elektorale ku ata kanë kontribuuar prej vitesh. Por roli i arsimtarëve merr rëndësi edhe në kushtet e një reforme në arsim, duke pasur parasysh ndryshimet rrënjësore që ka pësuar sistemi universitar në Shqipëri.
Në listën e kandidatëve për deputetë në PD një numër të konsiderueshëm vendesh zënë edhe mjekët. Duke pasur parasysh se vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha, vjen nga një mjedis i tillë, pra nga fusha e mjekësisë, është afërmendsh që t’u lërë një hapësirë të konsiderueshme ish-kolegëve të tij. Kështu, kandidatët me profesionin e mjekut apo doktorit zënë 9 vende në listën e PD-së. Shëndetësia është një tjetër prioritet i PD-së. Kryetari i PD-së, Berisha, ka premtuar gjatë turit paraelektoral se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të ndërmarrë një reformë të thellë në sektorin e shëndetësisë.
Edhe kandidatët me profesionin e inxhinierit nuk mbeten pas, por zënë 11 vende në listën e PD-së. Një ndër fushat më të zhvilluara në Shqipëri është biznesi i ndërtimit ndaj dhe roli i inxhinierëve të ndërtimit merr rëndësi përsa i përket zhvillimit të këtij sektori.
Sporadikët
Ajo që bie në sy në listën e PD-së është numri i ulët i kandidatëve biznesmenë. Në listën e kandidatëve janë përfshirë vetëm 6 biznesmenë, ndërkohë që pritej një numër më i madh i tyre. Po kështu, 6 është numri i gazetarëve të përfshirë në listën e PD-së, të cilët mbajnë dhe poste të rëndësishme, siç është kryetari i Grupit Parlamentar, Astrit Patozi, apo ministrit aktual të Transporteve, Sokol Olldashi. Janë 2 aktorë në listën e kandidatëve për deputetë, si Rajmonda Bulku dhe Arben Imami. Janë 2 futbollistë, Indrit Fortuzi dhe Kreshnik Çipi. Është dhe një shkrimtare, Miranda Haxhiaj, një biolog, Taulant Bino, një diplomate, Edit Harxhi. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të kemi një panoramë më të qartë se cilat profesione do të dominojnë Kuvendin e Shqipërisë.

Statistika
Ekonomistë 17 kandidatë
Juristë 20 kandidatë
Arsimtarë 17 kandidatë
Inxhinierë 11 kandidatë
Mjekë 9 kandidatë
Biznesmenë 6 kandidatë
Gazetarë 6 kandidatë
Shkenca sociale 4 kandidatë
Oficerë 4 kandidatë
Aktorë 2 kandidatë
Futbollistë 2 kandidatë
Shkenca Politike 1 kandidat
Diplomaci 1 kandidat
Biolog 1 kandidat
Shkrimtar 1 kandidat

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›