E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidimin në Gjirokastër e kërkova vetë

11/04/2005  Ish-ministri i Financave Genc Ruli sqaron rikthimin në PD

Ish-ministri i financave gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, Genc Ruli, është prezantuar ditën e shtunë si kandidat për deputet i PD-së në Gjirokastër. Në prezantimin e tij merrte pjesë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ritvan Bode. Lidhur me kandidimin e tij në këtë qytet, Ruli u shpreh se kjo vjen si rrjedhim logjik i aktivitetit të tij politik pro së djathtës. “Filozofia ime politike është të kontribuoj në fitoren e dikujt dhe jo të marr nga fitorja e të tjerëve. Kjo është dhe arsyeja që unë zgjodha Gjirokastrën për të kandiduar”, tha Ruli. Lidhur me zërat se kandidatura e tij është refuzuar nga baza e Tiranës, Ruli u shpreh se nga PD-ja iu afrua një zonë e sigurtë, por që është refuzuar nga vetë ai. “Ka pasur një ofertë shumë bujare nga ana e PD-së, për të më ofruar një nga zonat që mund të quhen të sigurta në Tiranë. Por kam kërkuar Gjirokastrën për arsyet që thashë më lart, sepse një pozicion politik në radhë të parë, duhet ta fitosh”, tha Ruli. Ish-ministri i financave, i rikthyer para pak kohe në Partinë Demokratike, u largua prej saj pas trazirave në vitin 1997. Së bashku me të, janë kthyer pranë PD-së edhe Gramoz Pashko, që do të kandidojë në qytetin e Krujës, Preç Zogaj që do të kandidojë në Lezhë, dhe Arben Imami që pritet të kandidojë në qytetin e Tiranës. Një thirrje nga ana e Berishës, për rikthim i është bërë dhe ish-Kryeministrit Aleksandër Meksi si dhe ish kryetarit të PD-së, Eduart Selami, që jeton në Amerikë. Rikthimi i tyre në politikë, hapi dhe polemikat e para mes anëtarësisë së PD-së, por vetë kreu Berisha e konsideroi këtë veprim si një riciklim të historisë së fillimviteve 1990. “Unë mund t’i mbyll sytë para historisë time, por jo para atyre të të tjerëve. Ata kanë vendin e tyre në këtë parti”, ka komentuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›