E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Reformë e plotë sistemit shëndetësor

11/04/2005  Shteti do të mbulojë sigurimin shëndetësor për të papunët dhe do të rrisë pagat e mjekëve

“Në Shqipëri është vetëm një doktor për një mijë persona”

Partia Demokratike premton reformë tërësore të sistemit shëndetësor në Shqipëri, në rast se do të fitojë votimet. Komiteti i Orientimit të Politikave, të PD-së, premtoi gjatë prezantimit të strategjisë, rritje të cilsësisë së shërbimit mjekësor, zgjerim të paketës së sigurimit shëndetësor dhe mbulimin e tij nga shteti për të papunët, rritje të rolit të mjekut të familjes, ndalimin e degradimit të sistemit shëndetësor në vend, rritje të pagave për mjekët, përmirësim të kushteve spitalore dhe ambulative, në rast se opozita aktuale do të fitojë zgjedhjet. Këto, do të arrihen nëpërmjet dyfishimit të Buxhetit të Shtetit për shëndetin. Aktualisht, buxheti për shëndetësinë sipas relatorëve, zë vetëm 2.2 pëqind të Buxhetit të Shtetit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 173 nga 193 vende gjithsej.

Pagat

Relatori i platformës dhe një nga hartuesit e saj, Aleksandër Sallabanda, duke folur për gjendjen e sektorit të shëndetësisë, tha se në të gjithë vendin, po vihet re një rritje e shpejtë e sëmundjeve kronike jo infektive, sëmundjeve mendore, etj. Sipas tij, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri, është dy herë më e madhe se në vendet e tjera të Evropës. Diskutantët kanë theksuar se një shqetësim serioz, është korrupsioni i lartë që ka përfshirë këtë sektor jetik për vendin. Në platformën PD-së, parashikohet rritje e pagës bazë për punonjësit e administratës civile të spitaleve në masën 40 deri në 50 për qind në vitin e parë të qeverisjes, si dhe nxitje të zhvillimit të sektorit privat, me anë të uljes së taksave në masën 10 për qind.

Sigurimet

Një pikë e rëndësishme në platformën e PD-së, është zgjerimi i paketës së sigurimeve shëndetësore. Duke pasur parasysh se një masë e madhe e popullsisë është e papunë, PD parashikon që sigurimi shëndetësor për të papunët, të mbulohet nga shteti. Anëtarët e KOP u shprehën se, shumë prej pacientëve me sëmundje kronike, nuk janë të siguruar dhe nuk përfitojnë rimbursim të barnave nga shtetit. Sipas tyre, në vende të tilla si Gjermania, shteti i rimburson barnat në masën 80 deri në 85 për qind të vlerës së tyre, ndërsa në Shqipëri, ky rimbursim nuk e kalon masën e 43 deri në 44 për qind. Strategjia parashikon dhe zvogëlimin deri në zhdukjen përfundimtare të korrupsionit në shëndetësi, i cili i detyron qytetarët të paguajnë shuma të majme për kurimin e tyre në spitalet publike. Modernizimi i QSUT, rritja e investimeve për aparatura, rritja e kapacitetit të punonjësve në shërbimin shëndetësor etj., janë një pikë tjetër në platformën e paraqitur dje nga KOP.

Sali Berisha

Kryetari i PD, Berisha, tha se një ndër prioritetet për shëndetësinë, do të jetë rregullimi i ligjit për financimin e shëndetësisë. “Qeveria aktuale ka bllokuar paketën ligjore për Sigurimet e Shëndetësisë, për fondin e sigurimeve dhe financimin e spitaleve. Në këto kushte, instituti i sigurimeve nuk gjen aspak financimin për të cilin është kërkuar”, tha Berisha.

Maksim Cikuli

Një ndër hartuesit e strategjisë, Maksim Cikuli, tha se veç platformës për Shëndetësinë, PD i është propozuar platforma për shëndetin, e cila në thelb të saj ka ngritjen e nivelit ekonomik të individit. “Në bazë të saj, individi që të ketë shëndet, duhet të ketë banesë, elektricitet, ujë të vazhdueshëm dhe ambient të pastër”, tha Cikuli.

Roland Domeni

Roland Domeni, mjek pediatër, pjesëmarrës në tryezën e djeshme, ngriti si shqetësim rritjen e rolit të mjekut të familjes. “Mendoj se duhet të rritet roli i mjekut të familjes në sistemin tonë shëndetësor. Sot ne kemi një mjek për një mijë banorë, ndërkohë që mjekë të rinj që mbarojnë shkollën, nuk dinë se ku do të punojnë. Në vendet e zhvilluara, kjo shifër është shumë më e vogël”.

Mehmet Nsufi

Mehmet Nisufi, mjek psikolog, tha në fjalën e tij se, përparësi duhet t’i jepet dhe shëndetit mendor. Sipas tij, ky rol merr më shumë përparësi po të kemi parasysh dhe krizën që po kalon shoqëria. “Mendoj se rimbursimi i barnave për shëndetin mendor, duhet të jetë pjesë e kësaj strategjie. Duhet të shihet roli i farmacistit. Unë nuk kam parë në asnjë vend, të shiten barnat si në supermarket, pa recetë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›