E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat ne vend rrisin fitimet

Shoqata Shqiptare e Bankave në të dhënat e publikuara sëfundmi, raporton se bankat që operojnë në vend kanë shtuar fitimet për muajin nëntor të vitit 2011. Sistemi bankar shqiptar rezulton me një rritje të fitimit me 3,1 miliardë lekë në muajin e parafundit të vitit 2011, nga 2.8 miliardë që rezultonte në muajin tetor. Nga të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, rezultati financiar i instituteve kredituese ka qenë në trend pozitiv gjatë gjithë 2011-ës, një konfirmim ky se sistemi bankar në vend është më i konsoliduar, krahasuar me vështirësitë që po hasin bankat në vendet fqinje dhe ato në Eurozonë. Një tjetër rezultat i rëndësishëm vjen nga shoqata e bankave edhe për kreditë me probleme. Përqindja e kredive me probleme në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar rezulton në 18.7%, me një rritje me vetëm me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e mëparshëm. Në fakt kreditë e këqija në nivel vjetor janë rritur me 4,3 pikë përqindjeje, por ajo që bie në sy në tremujorin e fundit të vitit është fakti se rritje e këtyre kredive ka pasur përmasa shumë të ulëta krahasuar me tremujorët e mëparshëm. Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të BSH, volumi i kredive ka shkuar në rritje, kryesisht për muajin tetor. Megjithë volumin e lartë të kredive bankat në vend kanë shtrënguar njëkohësisht edhe standardet e huadhënies, te cila me sa duket i kane dhënë efektet pozitive në cilësinë e portofolit të kredisë, duke frenuar rritjen e kredive me probleme. Në raportin mbi politikën monetare për 2012, një nga prioritetet e BSH-së ishte vënia nën kontroll e kredive me probleme. Këto të dhëna konfirmojnë edhe njëherë se sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm dhe nuk rrezikohet nga kriza e vendeve të rajonit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›