E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanë plasur vjedhjet e makinave në mes të Tiranës

MUHARREM DARDHA

Ka disa kohë që dëgjojmë se në Tiranë kanë plasur ashiqare vjedhjet e makinave nëpër rrugë. Për këtë, si dëshmitar okular, po jap disa raste. Dy javë më parë, rreth orës 22:00, kisha takuar vëllain tim në rrugën Myslym Shyri, gati përballë kthesës që futesh te Tregu Çam. Ai la makinën e tij të ndezur fare pak metra para nesh, një Benz 190 i bardhë, me targë TR 82 81 F dhe po bisedonim. Befasisht u ndodhëm para një skene të tmerrshme: makina e vëllait u rrëmbye nga një djalë i panjohur dhe lëvizi me shpejtësi drejt qendrës. Ishte vërtet një vjedhje spektakolare, që edhe në filmat e këtij lloji nuk e kam parë. Me një makinë tjetër që iu afrua aty pranë vëllai e ndoqi nga pas, por më kot, ajo u zhduk pa lënë gjurmë nëpër rrugët e Tiranës. Një natë më pas, në qendër të ish-Bllokut, një gjyqtari i vodhën një makinë të shtrenjtë teksa e la ndezur dhe shkoi për të tërhequr një shumë lekësh në bankomatin e kësaj banke aty pranë. Thonë se edhe ai i ndoqi vjedhësit me një makinë tjetër deri në afërsi të Fushë-Krujës, por më pas i humbën nga sytë. Për çudi, parmbrëmë, rreth orës 21:30, teksa po ecja trotuarit të rrugës Myslym Shyri, rreth 50-70 metra para se të dalësh në kthesën që të çon nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, u përballa me një tjetër skenë të dhimbshme. Një vajzë e re ulërinte në mes të rrugës sepse i kishin vjedhur për duarsh makinën e saj me targë Fieri. Shumë qytetarë ishin grumbulluar rreth saj dhe shanin e mallkonin jo vetëm vjedhësit halabakë, por edhe Policinë e Shtetit, e cila, ashtu si në rastin tonë, edhe parmbrëmë nuk dukej gjëkundi në rrugë
Besoj se të tilla histori çdokush po dëgjon shumë këto ditë, por tri historitë e para janë më se të vërteta, pasi kam qenë vetë dëshmitar okular. Ashtu si dhe para dy javësh, edhe parmbrëmë në shtëpi shkova tepër i shqetësuar. Vetja më dukej fare pa vlerë, i pafuqishëm dhe i turpëruar. Si ka mundësi, mendoja, që të lejohet kjo gjendje e frikshme në rrugët më të populluara të kryeqytetit tonë? Që të të vjedhin makinën sikur të marrin një leckë nga dora. Dhe kaq pranë institucionit qendror të Policisë së rendit në kryeqytet? Si nuk po shohim dhe dëgjojmë qoftë edhe një deklaratë nga strukturat e rendit për këto vjedhje spektakolare në mes të Tiranës? Si ka mundësi që ligjin në rrugë ta bëjnë pikërisht këto grupe njerëzish pa moral, vjedhacakë e kriminelë dhe Policia e shtetit tonë demokratik të heshtë, të mos ndjehet gjëkundi?
Shumëkush thonë se këto grupe janë të identifikuara, dikush tjetër të tregon se drejtimi i fshehjes së prehës së tyre është zona drejt Fushë-Krujës, Laçit e më tej. Madje pëshpëritet edhe ndoshta për ndonjë bashkëpunim mes këtyre grupeve me individë të veçantë në radhët e Policisë! Gjithashtu të thonë se edhe Policia shpesh ndjehet e pafuqishme, madje edhe për arsye të rëndomta, si bie fjala, mungesa logjistike, karburanti etj. Pra, shumë flitet dhe shumë hamendësohet, por asgjë nuk bëhet. Vjedhjet e makinave vazhdojnë të bëhen përditshmërisht një serial pa mbarim, sidomos në orët e vona të pasdites, kudo nëpër rrugët e Tiranës.
Si një qytetar i thjeshtë i këtij vendi ndjehem i shqetësuar dhe kërkoj ndërhyrjen e shtetit tim, të strukturave të tij që merren drejtpërsëdrejti me ruajtjen e rendit dhe të qetësisë. Me besimin se përcjell edhe zërin e shumë qytetarëve të tjerë, me sytë nga shteti dhe strukturat e tij përkatëse pyes: Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›