E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, përse e para Drejtësia

AGIM BAÇI

Kur ndokujt i ndodh një padrejtësi në punë, me fqinjin, me pronën, që mund të diskriminohet për shkak të besimit, ngjyrës, përkatësinë etnike apo për çfarëdolloj arsyeje, natyrisht që ai u drejtohet gjykatave, me avantazhin që jep sistemi demokratik, që i konsideron ato si strehë të fundit të të gjithë qytetarëve.
Por çfarë mund ti ndodhë një qytetari kur pikërisht në këtë derë hyn për të gjetur zgjidhje, por në fakt gjen anën e kundërt të gjithë asaj për të cilën ka pretenduar? As më pak e as më shumë, por do të ndodhë një zhytje në mbretërinë e errët të dekurajimit. Dhe teoritë e sotme sociale apo politike e kanë konfirmuar se nuk ka një armik më të madh në një shoqëri se sa dekurajimi. Ajnshtajni ka thënë dikur se është më mirë të mos bëhet fare një ligj, sesa të behet dhe të zbatohet keq, sepse dekurajimi nga moszbatimi do të jetë me më shumë pasoja sesa mosqenia fare e ligjit. Dhe të paktën shqiptarët e kanë provuar në gati 50 vjet se çdo të thotë të dekurajohesh për të vërtetën, për njerëzoren, dhe të biesh dakord me antihumanen.
Nëse do të lejojmë të vijohet me dekurajimin, atëherë fare lehtë njerëzit do të bëjnë atë që u duhet për të mbijetuar: të bëhen pragmatistë duke pranuar korrupsionin si normale, të pranojnë mediokrit që të ngjiten në karrierë, të pranojnë mungesën e së vërtetës – pra shkurt të zhyten në një të ardhme të gënjeshtërt, sidomos për fëmijët tanë. Dhe në fakt, duhet pranuar se perceptimi i qytetarëve të tanishëm, pa pasur nevojë për konstatimet e ndërkombëtarëve, është se, drejtësia mbetet një iluzion, çka në jo pak raste kanë kaluar në vetëgjyqësi, sidomos në çështjen e pronave apo në gjetjen e fajtorit.
Për fatin e mirë, të paktën në parim, kreu i sapozgjedhur i shtetit, z. Nishani, është një person që ka punuar me Drejtësinë, ashtu siç ka punuar edhe me mbledhësit e fakteve, që janë organet policore. Një e kaluar e tillë na bën të besojmë se së paku me Drejtësinë do të jetë përpjekja kryesore për të çuar në shinat e duhura të besimit të qytetarëve ndaj këtij institucioni, ndoshta më thelbësori për të kuptuar nëse jetojmë apo jo në demokraci të vërtetë. Dhe më së pari i duhet kthyer besimi vetë komunitetit të gjyqtarëve, te të cilët është rrëzuar prej kohësh koncepti mbi një karrierë të vërtetë, edhe pse Topi e Spahiu e nisën pikërisht me këtë mision kur nisën të kryesonin KLD-në. Madje u fol edhe për librin e bardhë që u shpërnda nëpër gjykata, por që sot askush nuk mund të thotë se çfarë nxiu ai libër apo se ku e dërgoi komunitetin e gjyqtarëve, të cilët kanë qenë nën gjendje injorimi kur një gjyqtar nga shkalla e parë është propozuar për në Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese, apo kur ndonjë avokat i përfolur për vonesa apo prishje të proceseve gjyqësore është propozuar sërish në të tilla gjykata. Kjo, natyrisht, ka bërë që gjyqtarët të mos përkujdesen më për karrierën e tyre, por të shikojnë mbijetesën, çka do të thotë se publiku e ka pasur të vështirë të gjejë tek ata dëshirën për të qenë të drejtë.
Pa dyshim që në këtë mbretëri dekurajimi, që është ndërtuar hap pas hapi me mosndëshkimin e gjyqtarëve shkelës apo dekorimin e të paaftëve, më të ndëshkuarit kanë qenë qytetarët dhe ata gjyqtarë që kanë parë zbatimin e ligjit, pasi janë ndjerë si dele të zeza mes gjithë atyre gjyqtarëve që kanë hedhur sytë nga politika për të mbijetuar apo për të bërë ecje përpara në karrierë. Ndaj, z. Nishani, për të ndërtuar një mekanizëm të kthimit të kurajës te qytetarët për të thënë të vërtetën, për të denoncuar padrejtësitë, korrupsionin apo edhe fyerjet ndaj racave apo besimit të tyre, duhet më së pari të japë mbështetje pikërisht për ata gjyqtarë që gëzojnë respektin e profesionalizmit dhe ndershmërisë. Kjo mbështetje duhet, pa dyshim, të kalojë, pse jo, edhe në formën e një referendumi të opinionit publik, ku qytetari të kuptojë qartësisht se kreu i ri i shtetit, më së paku, do të kthejë kurajën, duke propozuar në hierarkinë e Gjyqësorit ata gjyqtarë që kanë mundësinë të kthejnë besimin e publikut te Drejtësia.
Nëse jepet kjo ide, se gjyqtarët nuk do të jenë të pandëshkueshëm nëse nuk japin drejtësi, atëherë shoqëria do ta ketë më të lehtë për të shfrytëzuar hapësirat demokratike

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›