E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanoçe në lumë, mbyten 2 të rinj

DURRES/ Trupat ende të zhdukur. Shokët: I pamë kur përpëliteshin për të shpëtuar.

Kunetërit 18 dhe 20 vjeç i rrëmbeu rrjedha e Ishmit.

Mblidhnin kanoçe dhe bidonë plastikë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre, rrjedha e lumit merr dy të rinj. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Ishëm të po kësaj komune në Durrës, ku në lumin që përshkon këtë fshat u mbytën Elson Sineimati dhe Ervis Saliu, 18 dhe 20 vjeç. Sipas të dhënave të dëshmitarëve në vendngjarje, ata kanë rënë brenda në lumë dhe nuk kanë mundur të dalin dot më prej tij.
Policia bëri të ditur se viktimat ishin duke mbledhur anës lumit kanoçe dhe bidonë plastike, që më pas i shisnin. Ervisi dhe Elsoni, kunetër me njëri-tjetrin nuk kanë qenë të vetmit që ishin duke kërkuar për kanoçet. Bashkë me ta ishin edhe tre persona të tjerë, një vëllai i njërit prej viktimave. Madje, ka qenë ai personi i parë që ka parë të vëllain dhe kunatin e tij teksa përpëliteshin në ujë dhe thërrisnin për ndihmë. Ai ka lajmëruar menjëherë dy shokët e tjerë që ishin duke kërkuar për kanoçe disa metra më tutje. Megjithëse të rinjtë janë munduar të ndërhyjnë duke ofruar ndihmë nga bregu, nuk kanë mundur të shpëtojnë dot asnjërin nga viktimat. Të rinjtë kanë dëshmuar në polici pas ngjarjes se i kanë parë për vetëm dy-tri minuta Elsonin dhe Ervisin teksa përpiqeshin të shpëtonin, por më pas ata i ka tërhequr rrjedha e lumit. Djemtë lajmëruan të afërmit dhe banorët e tjerë të fshatit Ishëm dhe bashkë me ta nisën kërkimet për gjetjen e dy të rinjve. Më pas në vendin e ngjarjes mbërriti edhe policia që iu bashkëngjit kërkimeve të banorëve. Por megjithëse janë zhvilluar më shumë së 4 orë kërkime për gjetjen e viktimave, banorë të Ishmit dhe policia bënë të ditur se nuk është parë asnjë gjurmë e tyre. Operacioni për gjetjen e Ervis Saliut dhe Elson Sineimatit do të vijojë sërish sot. Djemtë tregojnë se fillimisht në lumë ka rënë Elsoni dhe më pas ka tërhequr edhe Ervisin që u mundua ti japë ndihmë vëllait të së fejuarës së tij. Sipas banorëve të zonës, të cilët e njohin mirë lumin, dyshohet se të rinjtë mund ti ketë tërhequr rrjedha të paktën 150 metra. Edhe kërkimet nga polumbarët do të zhvillohen po kaq metra larg, aty ku lumi nis të qetësohet, pasi aty është ndërtuar një pritë nga banorët për ta përdorur për vaditje gjatë muajve të verës. Aty mendohet që të kenë përfunduar dy të rinjtë, por dje nuk u bë një kontroll i imtësishëm i zonës, pasi ishte i pamundur shikimi, për shkak të errësirës.

POLICIA
Për mbytjen e dy të rinjve nga Ishmi, Policia e Durrësit bëri të ditur se e ka regjistruar si ngjarje aksidentale, e cila ka ndodhur nga pakujdesia. Ata janë dy viktimat e para për këtë vit në qarkun e Durrësit që gjejnë vdekjen nga mbytja. Ndërkohë, sezonin e kaluar janë regjistruar disa ngjarje aksidentale të mbytjes së të rinjve, kryesisht në det.

VIKTIMAT
Elson Sineimati,

18 vjeç, nga Ishmi, Durrës

Ervis Saliu,
20 vjeç, nga Ishmi, Durrës

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›