Vrasja e Gentian Kokës, analizë cigareve për të zbuluar autorët

Vendi ku u vra Gentian Koka
SHIJAK – Për identifikimin e ekzekutorëve të 33-vjeçarit, policia po pret rezultatin e analizave të provave që kanë gjetur në vendin ku ndodhi krimi. Ndonëse provat e gjetura në vendin e ngjarjes kanë qenë shumë të pakta, ekspertët e kriminalistikës që po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë besim se do t’i ndihmojnë ata për të hedhur dritë mbi misterin e vrasjes së Gentian Kokës, ndodhur mbrëmjen e së enjtes në një nga rrugët e fshatit Sallmone. Bishta cigaresh dhe shenja të tjera janë gjetur nga ekspertët në objektin në ndërtim e sipër që ndodhet në anë të rrugës, nga ku mendojnë se atentatorët kanë pritur viktimën. Nuk dihet ende nëse cigaret janë pirë dhe hedhur nga personat që i zunë pritë dhe vranë 33-vjeçarin, apo nga banorë të zonës dhe punëtorët që kanë punuar për të ndërtuar atë. Megjithatë, kjo do të zbulohet shumë shpejt pasi ekspertët i kanë dërguar bishtat e cigareve në laborator për të nxjerrë ADNnë, e cila do të përcaktojë se kush është personi që i ka pirë ato. Nga ana e saj Policia e Durrësit po heton në disa drejtime. Përveçse hetimeve që po kryen në pistat si hakmarrje, larje hesapesh, konflikt që viktima mund të ketë pasur kohët e fundit, policia ka ngritur edhe një tjetër pistë. Burime të besuara thanë se po hetohet edhe në pistën që 33-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për ndonjë femër. Për ketë arsye është bllokuar telefoni i viktimës dhe janë marrë në pyetje personat më të afërt të Gentianit, si shokë të afërm dhe bashkëmoshatarë të tij, jo vetëm në Sallmone, por në të gjithë zonën. Ndërkaq, policia po mban nën kontroll të gjithë zonën ku dhe po ushtron kontrolle në çdo banesë të fshatit, ndërsa po vëzhgon çdo lëvizje të banorëve të zonës, me qëllim zbardhjen sa më shpejt të vrasjes së 33-vjeçarit. Policia është angazhuar dhe po punon me shumë seriozitet për të hedhur dritë mbi mekanizmin që kanë përdorur atentatorët dhe vënien në pranga të tyre. Burime zyrtare nga Policia thanë se për momentin nuk kanë asnjë person tek i cili dyshojnë se mund të ketë kryer krimin, ndërsa pohuan se po hetohet në të gjitha pistat e mundshme. Të njëjtat burime pohuan se është mjaft e vështirë zbardhja e ngjarjes, pasi vendi i ngjarjes është prishur nga personat që kanë tentuar që t’i japin ndihmën e parë Kokës. 33-vjeçari u dërgua në spital, pasi të afërmit fillimisht kujtuan se ai ishte i shtrirë në tokë për shkak të ndonjë ataku apo ndonjë sëmundjeje tjetër dhe e kanë lëvizur nga vendi trupin e tij. Oficerët dhe ekspertët e krimeve e kanë rindërtuar skemën e ngjarjes, ndërkohë që oficerët dhe hetuesit po merren me marrjen në pyetje të personave që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Deri më tani, në Policinë e Durrësit dhe Komisariatin e Shijakut janë shoqëruar mbi 30 persona, të cilët pasi janë pyetur se çfarë dinë në lidhje me Gentianin, janë lënë të lirë. Prokuroria dhe Policia e Durrësit kanë të regjistruara në dosjen e tij të paktën katër vepra penale si: armëmbajtje pa leje, konflikt me persona të ndryshëm, prishje të rendit e qetësisë publike, si dhe trafikimit të lëndëve narkotike, vepra për të cilat ai ka kryer katër vjet burg. l.m